Tirana ka harruar shijen e fitores, Skenderbeu ‘fal’ kreun

Tirana “ruan” kryesimin e Partizanit, pikë morali para derbit...

Tirana mban Partizanin në krye të Superiores dhe këtë e bën duke barazuar 1-1 me Skënderbeun në “Selman Stërmasi”, në një prej ndeshjeve më të nxehta të kësaj jave, që u luajt pa praninë e spektatorëve. Një pikë morali dhe shpresë për bardheblutë pikërisht para derbit me të kuqtë, por që nuk ndikon në renditje, pasi formacioni i drejtuar nga Ardi Mema mbetet në vendin e 8-të, me 3 pikë më shumë se Kamza, që luan këtë të diel me Kukësin.

24 herë kampionët e Shqipërisë nuk iu shmangën dot sindromës së golave fëmijënorë. E tillë ishte edhe rrjeta e realizuar nga Bruno Dita në në minutën e 35-të, pas një goditjeje standarde. Mesfushori i kampionëve në fuqi u gjend i pambuluar përballë portierit dhe me një devijim të thjeshtë e dërgoi topin në rrjetë.

Tirana e barazoi takimin në fund të pjesës së parë me Sentamu, pas një pune të shkëlqyer të Grecës nega e majta e sulmit.

Asgjë nuk ndryshoi në fraksionin e dytë, edhe pse momentet delikatë në portat respektive nuk munguan.

Një “asist” ky i Tiranës për rivalin e përjetshëm, Partizanin, që i pret bardheblutë si kryesues në derbi falë ndalesës së Skënderbeut. Të kuqtë mbeten në krye me 31 pikë, me vetëm 1 pikë më shumë se Skënderbeu.

Pjesa e dytë nisi me ritëm, me Skënderbeun që krijoi mundësinë e parë të rrezikshme. Tirana në krahun tjetër po ashtu shtynte para, por pa mundur që të vërë në vështirësi Teqen. Në fund një barazim që nuk është i mjaftueshëm për asnjërën nga skuadrat.

Skënderbeu nuk arrin që të shfrytëzojë dot hapin flas të Partizanit, pasi tani e sheh veten në kuotën e 30 pikëve, një më pak se “demat”. Bardheblutë në krahun tjetër regjistrojnë ndeshjen e shtatë në kampionat pa fitore, por kjo pikë mund të japë pak moral për ndeshjen e javës së ardhshme me Partizanin. Gjithsesi, kryeqytetasit nuk janë në pozita aspak të mira, pasi tani janë në kuotën e 11 pikëve.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14

E shtunë, më 24 nëntor, ora 14:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

TIRANA 1-1 SKËNDERBEU
Shënues: Sentamu 44’/ Dita 35′

TIRANA: Abibi, Doka, Atinga, Hoxhallari, Imami, Karabeci (Halili 84′), Mauexhe, Daja, Sentamu, Greca (Kobina 67′), Hasani. Trajner: Ardian Mema. Të gatshëm: Lika, Turtulli, Cake, Ismajlgeci, Kërçiku.
SKËNDERBEU: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Muzaka, Dita, Guexh (Lulaj 67′) , Gripshi (Hoxhaj 46′), Bregu, Krasniqi (Oto Xhon 76′). Trajner: Orges Shehi.  gatshëm: Dajsinani, Sambou, Ziko, Fili.
Kartonë të verdhë: Sentamu 17′ , Hasani 38′, Greca 46′ /
GJYQTARË:Juxhin Xhaja, Ermal Barushi, Dojando Myftari, Kridens Meta.
DELEGAT: Lysien Nurishmi; VËZHGUES: Albano Janku.

GOLAT
44′ – Greca bën gjithça mirë nga e majta dhe pason në qendër për Sentamun, i cili me portën e boshatisur nuk e ka të vështirët të shënojë.

35‘ – Radas hedh një top nga një goditje dënimi, Dita i pamarkuar në qendër të zonës bardheblu nuk gabon, duke çuar topin në fundin e rrjetës së kryeqytetasve.

RASTI I DYSHIMTË
23′ – Krasniqi avancon drejt zonës së Tiranës, por Hoxhallari ndërhyn në momentin e fundit. Pretendime për faull brenda zone nga miqtë, por asgjë për gjyqtarin.