Tirana flirton me fitoren, Oto Xhon shpëton korçarët

Tirana për paksa nuk befason Skenderbeun në Korçë

Tirana nuk arrin që të marrë më shumë se një pikë në Korçë, duke barazuar 1-1 ndaj Skënderbeut. Vendosin golat e Edon Hasanit në minutën e 20-të dhe Oto Xhon vetëm pak minuta para fundit të kohës së rregullt. Shkodrani shënoi golin e parë me fanellën e Tiranës, por sulmuesi i korçarëve i hoqi gëzimin e fitores miqve me një gol në fundin e ndeshjes.

Ndeshja kishte ritëm dhe skuadrat krijuan volum që në start. Gjithsesi, duhen veçuar dy episode, kur miqtë kishin pretendime të ndryshme me gjyqtarin. Në minutën e 6-të dhe të 27-ën, Lulaj dhe më pas kapiteni Radas ndalën sulmet e kryeqytetasve në mënyrë të parregullt. Gjyqtari Kukan në të dyja rastet akordoi vetëm karton të verdhë për dy lojtarët e sipërpërmendur, edhe pse miqtë këmbëngulën se në të dyja raste u ishte hequr mundësia e shënimit të golit. Edhe Devi Bregu u ndal nga anësori në minuta e para, teksa u sinjalizua një poziicon jashtë loje shumë i dyshimtë.

Gjithsesi Edon Hasani, ishte i harruar në minutën e 20-të nga mbrojtja korçare. Daja harkoi saktë nga e djathta dhe shkodrani me kokë nuk e pati të vështirë që të shënonte me portën e boshatisur, duke shfrytëzuar dhe daljen e Teqes. Pas avantazhit, bardheblutë e menaxhuan mjaft mirë avantazhin.

Në pjesën e dytë ishin vendasit që e rritën ndjeshëm presionin, por pa mundur që të kalonin Ilion Likën. Bardheblutë në anën tjetër pretenduan për një 11-metërsh, por rrëzimi i Imamit u konsiderua simulim dhe lojtari u ndëshkua dhe me karton të verdhë.

Kur gjithçka dukej se po shkonte në favor të miqve, Oto Xhon mori përdore skuadrën duke shënuar golin e barazimit. Sulmuesi, i cili u aktivizua në pjesën e dytë me kokë mposhti Ilion likën pas një harkimi nga e djathta. Në minutat shtesë ishte teqja ai që u bë shpëtimar pasi i hoqi mundësinë e shënimit Blazhevskit.

Në fund nga një pikë për të dyja skuadrat. Tirana shkon në kotën e 5 pikëve dhe mendon për derbin në javën e ardhshme me Partizanin. Në anën tjetër Skënderbeu ruan vendin e parë, pasi arrin në kotën e 11 pikëve. Korçarët do të ndeshen me Teutën e Bledi Shkëmbit javën e ardhshme.

Kategoria Superiore – Java 5
E shtunë, më 22 shtator, ora 18:45
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

Skënderbeu 1-1 Tirana
Shënues:
Oto Xhon 87’/ Hasani 20′

GOLI

87’ – Oto xhona nuk gabon pas një harkimi nga e djathta duke vendosur ekuilibrin.

20’ – Aksion i bukur i Tiranës, Daja harkon nga e djathta dhe Hasani i harruar në shtyllën e dytë realizon golin e parë për bardheblutë.

 

FORMACIONET

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi (Oto Xhon 78′), Lulaj (Guindo 25′), Muzaka, Demte, Gripshi (Fili 56′), Bregu, Krasniqi. Trajner: Orges Shehi. Të gatshëm: Dajsinani, Sambou, Arnaut, Ziko.

Tirana: Lika, Doka, Turtulli, Berisha (Cake 75′), Imami, Mauexhe, Daja, Hasani (Karabeci 53′), Oduamadi (Greca 68′), Kobinas, Blazhevski. Trajner: Ze Maria. Të gatshëm: Abibi, Kërçiku, Sentamu, Ngo.

Gjyqtarë: Orlando Kuka, Denis Agaraj, Ani Koçiaj, Laver Alla.

Kartonë të verdhë: Lulaj 6′ Radas 27′, Abazi 58′, Vangjeli 76′, / Imami 57′, Doka 67′

Delegat: Bujar Pregja;  Vëzhgues: Myrteza Allkja