Thirrje SHBA-ve që të tërheqin mbështetjen ndaj Arabisë Saudite dhe EBA-së në Jemen

Pesë organizata ndërkombëtare të ndihmave, kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që për të shpëtuar jetën e miliona civilëve në Jemen të tërheqin mbështetjen ushtarake ndaj Arabisë Saudite dhe EBA-së

Organizatat ndërkombëtare humanitare që veprojnë në Jemen, kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që për të shpëtuar jetën e miliona civilëve në Jemen të tërheqin mbështetjen ushtarake ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Pesë organizata ndërkombëtare të ndihmave si Oxfam dhe Save the Children me qendër në Britani, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit, Organizata Ndërkombëtare e Ndihmës Humanitare CARE dhe Këshilli i Imigracionit Norvegjez kanë bërë një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratën ku theksohet se “SHBA-ja ndodhet në krye të vendeve që ofrojnë ndihmë humanitare në Jemen”, thuhet se këto ndihma të ofruara nuk kanë asnjë kuptim kur krahasohen me dëmet që shkaktojnë mbështetja diplomatike dhe ushtarake që qeveria e Washingtonit jep për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). “I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që për të shpëtuar jetën e miliona civilëve në Jemen të ndalin mbështetjen ushtarake ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Duke shprehur keqardhje theksojmë se; Nëse SHBA nuk e ndërpret mbështetjen e saj ushtarake ndaj koalicionit saudit-EBA, ajo do të marrë përgjegjësinë për mungesën më të madhe ushqimore që vërehet në vitet e fundit”, thuhet në deklaratën ku kërkohet që Washingtoni të mbështesë me një presion të vërtetë diplomatik thirrjen për “ndalimin e konflikteve në Jemen”.

Po ashtu në deklaratë është bërë paralajmërimi se asnjë përpjekje njerëzore nuk do të mund të ndalë mungesën ushqimore në këtë vend përsa kohë që nuk përfundon lufta e brendshme e cila vazhdon prej 4 vitesh mes Huthive dhe forcave të qeverisë së Jemenit që mbështeten nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.