Thaçi pas takimit me Lajçakun: Sa më parë propozimi për njohje reciproke Kosovë-Serbi

"Ky proces nuk duhet të vazhdojë me bisedime teknike, por të hidhet sa më parë propozimi për njohje reciproke të shtetësisë midis Kosovës dhe Serbisë", tha presidenti Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në Presidencë Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi ka folur rreth temave të diskutuara në këtë takim, ku ka theksuar se “vazhdon të besojë se e ardhmja e Kosovës është të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së”.

“Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë dhe takimi në përgjithësi ka qenë një takim korrekt, konstruktiv, një bisedë e hapur dhe miqësore, në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe me mundësinë që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, tha Thaçi.

Ai ka kritikuar BE-në për siç tha “vonesën dhe padrejtësinë e madhe dhe ndëshkimin krejt të padrejtë për qytetarët” për mosliberalizim të vizave, kur dihet se institucionet e vendit kanë implementuar në tërësi të gjitha kriteret që të ndodhë liberalizimi i vizave.

Sa i përket dialogut, presidenti tha se ky proces nuk duhet të vazhdojë me bisedime teknike, por të hidhet sa më parë propozimi për njohje reciproke të shtetësisë midis Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj fuqishëm që ka ardhur momenti që BE, nga ajo që shoh dhe është aktualisht unik në mbështetje të Lajçak, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke dhe duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Pastaj, çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të fillohet apo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar dhe ridiskutuar tash e 10 vite në Bruksel”, potencoi Thaçi duke shtuar se:

“Sido që të jetë unë dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet, mund të jetë mundësi e mirë që garanton stabilitet në rajon, fqinjësi të mirë, të ardhme evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Thaçi tha se edhe në takimin e zhvilluar ditë më parë me Lajçakun në Bruksel kanë qenë temat e njëjta të diskutimit, po kështu edhe në Washington në takimin me autoritetet e larta të SHBA-së, e gjithashtu edhe në Paris të hënën. “Shoh një koordinim më të mirë dhe nivel më të lartë edhe të BE-së, të kreyqendrave me SHBA-në, ky është një mesazh i qartë, i mirë dhe inkurajues që të jemi sa më unik në mënyrë që të finalizohet ky proces”, tha Thaçi.

Në fund, ai shtoi se përmbyllja e procesit të dialogut do të mundësonte zhvillimin ekonomik, rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe ngadhënjimin e vlerave euroatlantike në vend.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe çështjeve të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak ka arritur të martën në Prishtinë, ndërsa sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, ai do të qëndrojë në Kosovë deri të enjten, ku pritet të takohet me të gjithë krerët e partive politike, komunitetin ndërkombëtarë si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.