Tërmeti bashkon edhe “armiqtë”

Serbët, kosovarët, shqiptarët bashkë/ Tërmeti bashkon ish-armiqtë (FOTO)

E përditshmja italiane “Corriere Della Sera” i ka kushtuar një artikull shqiptarëve, shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve me titull: Tërmeti bashkon ish-armiqtë.

Ata janë bërë bashkë duke gërmuar nën rrënojat e Durrësit dhe Thumanës në kërkim të mrekullisë, shpirtrave të gjallë. Saktësisht njëzet vjet pas luftës në Kosovë, për herë të parë pas shpërbërjes së saj të përgjakshme dhe spastrimit etnik, ish-Jugosllavia e dikurshme duket se është ringritur, me qëllimin e saj më të mire.

Në emër të solidaritetit, Ballkani është bashkuar, qoftë edhe vetëm për disa ditë, në përpjekje për të shpëtuar jetët e goditura nga tërmeti që goditi bregdetin shqiptar dhe rrethinat e kryeqytetit natën midis të hënës dhe të martës.

Që prej ditës së djeshme, ekipet e shpëtimit të dërguara nga Prishtina, Beogradi, Tirana, Zagrebi dhe Shkupi, kanë formuar një zinxhir njerëzor shpëtimtarë. Zjarrfikësit, ushtarët, njësitë e qenve, ekipe me uniforma me stema dhe amuj të ndryshëm, dikur armiqësorë me njëri tjetrin, janë në garë për të rikuperuar të gjallë dhe viktima.

Ata mund të mos vëllazërohen, por kanë bashkuar forcat për një qëllim të përbashkët. Në Thumanë, një njësi serbe nga Nishi, e përbërë nga rreth 20 zjarrfikës, mbërriti dje dhe iu përvesh punës për të gërmuar nëpër rrënojat e një ndërtese 3-katëshe të shembur pjesërisht.