Telekom Albania shpërndan dividentë në vlerën 400 milion euro për aksionarët e Cosmote

Shuma e shpërndarë përfaqëson një vlerë prej rreth 61.5 mijë lek për aksion, për një total prej rreth 813.8 mijë aksionesh dhe do të paguhet në euro, bazuar në kursin e datës 19.04.2019, prej 1 eur=123.83.

Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend ka vendosur që të shpërndajë 50 miliardë lekë(400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication. Vendimi është marrë në Mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës së Shoqërisë në 22 prill, pak ditë përpara kalimit përfundimtar të aksioneve të Telekom Albania nga grekët e Cosmote te bullgaro-shqiptarët e Albania Telecom Invest AD, që u finalizua në 7 maj, shkruan revista Monitor.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, z. Dimitrios Paschos, përfaqësues i Cosmote Mobile Telecommunication ka deklaruar se shoqëria ka një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga vitet 2001 deri në vitin 2010 dhe që tani do të shpërndahen në formën e dividendit për aksionarët. Z Paschos shpjegoi se shuma që do t’u shpërndahet aksionerëve në formën e dividendit është në vlerën e rreth 50 miliardë lekëve.

Shuma e shpërndarë përfaqëson një vlerë prej rreth 61.5 mijë lek për aksion, për një total prej rreth 813.8 mijë aksionesh dhe do të paguhet në euro, bazuar në kursin e datës 19.04.2019, prej 1 eur=123.83.

Niveli më i lartë i fitimeve të pashpërndara ishte në 2008-2009, prej rreth 19 miliardë lekësh, kohë kur operatori celular ishte në ditët më të mira të tij dhe kishte norma fitimi para taksave prej mbi 50%.

Kompania do të paguajë si tatim mbi dividend 4 miliardë lekë, teksa përfiton nga efekti prapaveprues i nivelit të ri të tatimit mbi dividend prej 8% (që hyri në fuqi në 1 janar, por shtrihet dhe mbi fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme), nga 7.5 miliardë lekë që do të paguante nëse dividendi do të ishte 15%.