Të dyshuarit për helmimin në Salisbury shfaqen në televizionin rus

"Miqtë tanë na sugjeronin për një kohë të gjatë që të vizitojmë këtë qytet të mrekullueshëm", tha njeriu i identifikuar si Aleksandër Petrov

Aleksander Petrov dhe Ruslan Boshirov, të dy shtetasit rusë, të cilët u cilësuan si të dyshuar për sulmin me agjent nervor në Salisbury, sot u shfaqën në televizionin shtetëror rus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë me kryeredaktoren e Russia Today, Margarita Simonyan, dy personat konfirmuan se ata ishin njerëzit e identifikuar nga hetuesit e Britanisë së Madhe.

Të dy ata theksuan se kanë qenë në Salisbury si turistë në katedralen e qytetit.

“Miqtë tanë na sugjeronin për një kohë të gjatë që të vizitojmë këtë qytet të mrekullueshëm”, tha njeriu i identifikuar si Aleksandër Petrov.

“Salisbury është një qytet turistik, në të cilin është katedralja e famshme e Salisbury, e njohur jo vetëm në Evropë, por edhe në të gjithë botën, e njohur për grykën prej 123 metrash, është e famshme për orën e saj, e para e këtij lloji në botë, e cila ende po punon”, tha Petrov.

Personi në fjalë tha se gjithashtu donin të vizitonin Stonehenge dhe Sarumin e Vjetër, “por nuk mund ta bënim, sepse aty kishte baltë kudo”, shtoi Petrov.

“Ne kaluam jo më shumë se një orë në Salisbury, kryesisht për shkak të vonesave në mes të trenave. Ndoshta iu afruam shtëpisë së Skripal, por nuk e dimë se ku ndodhet”, tha Boshirov.

Petrov dhe Boshirov gjithashtu mohuan të kenë sjellë agjentin nervor në një shishe parfumi, duke thënë se do të dukej e dyshimtë për një person që të mbante një parfum të grave në bagazhin e tij gjatë kontrollit doganor.

“Kur jeta të kthehet me kokë poshtë, nuk dini çfarë të bëni dhe ku të shkoni. Ne kemi frikë të dalim, kemi frikë për veten tonë, jetën dhe jetën e të dashurve tanë”, tha Boshirov.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) ka thënë se Petrov dhe Boshirov janë të kërkuar për komplot për të vrarë Sergei Skripal dhe vrasjen në tentativë të Yulia Skripal dhe oficerit të policisë Nick Bailey.

Sergei Skripal dhe vajza e tij u pranuan në spital pasi u gjetën në pavetëdije më 4 mars në Salisbury.

Polici Nick Bailey, i cili ishte ndër të parët që iu përgjigj incidentit, gjithashtu mori trajtim pasi u helmua. Skripal gjeti strehim në Britani të Madhe pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ka vuar 13 vite burg për dhënien e informacionit inteligjencës britanike.