Sipas raportit të Këshillit të Europës për vitin 2022, Shqipëria renditet ndër vendet që ka numrin më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë, me 176 për 100 mijë banorë. Kjo shifër jo vetëm na rendit ndër vendet e para të Europës me numrin më të lartë, por na rendit edhe të parët në rajon.
Pas vendit tonë, në nivel rajoni, renditet Serbia me 155 të burgosur për 100 mijë banorë. Vlen të theksohet se mesatarja europiane për këtë tregues është 117 të burgosuar për 100 mijë banorë. Krahasuar me vitin 2021 vihet re një rritje e numrit të të burgosurve në Shqipëri për 100 mijë banorë me 8.2%. Lihtenshtejni renditet vendi me normën më të ulët të të burgosurve për 100 mijë banorë.
Ndër të tjera, nga të dhënat konkludojmë se Shqipëria është e treta mes 47-të vende të Europës, e cila ka shënuar rritjen më të lartë të numrit të të burgosurve nga viti 2005 deri në vitin 2022, me 61%. Ndërkohë numri i të burgosurve në pjesën më të madhe të vendeve të Europës, përgjatë kësaj periudhe, paraqitet me rënie.
Nga ana tjetër, një shifër mjaft interesante që na vendos ndër të parët në rajon, por për mirë, është ai i përqindjes së femrave të burgosura. Të dhënat tregojnë se Shqipëria është vendi i dytë në Europë me përqindjen më të ulët të femrave të dënuara. Femrat zënë 1.2% të të burgosurve në vendin tonë për vitin 2022.
Një tregues tjetër interesant në këtë raport lidhet me përqindjen e të burgosurve të huaj në burgje. Sipas shifrave të Këshillit të Europës, Shqipëria pozicionohet mes vendeve me përqindjen më të ulët. Të dhënat për vitin 2022 flasin për një peshë prej 2.1% të burgosurve të huaj në vendin tonë.
Por si paraqitet Shqipëria në renditje sa i përket normës së të burgosurve të cilët nuk vuajnë dënimin përfundimtar? Sipas të dhënave të analizuara nga ‘Scan Intel’, Shqipëria është vendi i tretë në Europë me përqindjen më të lartë sa i përket të burgosurve që nuk e vuajnë deri në fund dënimin e dhënë nga gjykata. Norma për Shqipërinë për vitin 2022 llogaritet në 58%, pra më shumë se gjysma nuk e vuajnë dënimin.
Xhorxhina Deda/SCAN