Tatimet, më pak para të mbledhura/ Në korrik dhe gusht shifrat më të ulta të TVSH

Tatimet e justifikuan rënien e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar me dy arsye; përjashtimi i nënkontraktorëve të gazsjellësit tap nga pagesa e kësaj takse dhe rënia e prodhimit të energjisë në vend.

Tatimet e justifikuan rënien e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar me dy arsye; përjashtimi i nënkontraktorëve të gazsjellësit tap nga pagesa e kësaj takse dhe rënia e prodhimit të energjisë në vend.

“Në shtator të vitit të kaluar u përjashtuan nga pagesa e TVSH-së nënkontraktorët e TAP. Efekti i kësaj mase ishte -5 miliardë lekë i vërtetuar deri tani. Po kështu një tjetër efekt i paparashikuar ishte rënia e prodhimit energjisë ne vend, që ka një mungesë të ardhurash nga TVSH me 2.1 mld lekë”, ka thënë Xhavit Curri.

Për 8 muajt e parë të vitit administrata tatimore ka mbledhur rreth 4.3 miliardë lekë ose 35 milionë euro TVSH më pak se vjet. Por gjysma e kësaj rënie, ka ardhur vetëm në dy muajt e fundit korrikun dhe gushtin, kur ishte dhe kulmi i fushatës kundër informalitetit.

“Rritja e të ardhurave nga TVSH në korrik dhe në gusht nuk ishte ajo e pritshmja, por duke filluar nga ky muaj situata ka ndryshuar”, ka shtuar Curri, shkruan Top Channel.

Por sipas zëvendësdrejtorit të tatimeve, fushata kundër informalitetit nuk ka dështuar, përkundrazi.

“Në presim që rritja e të ardhurave të jetë e qëndrueshme edhe gjatë muajve në vijim”, tha Xhavit Curri.

Në total duke përfshirë doganat dhe burimet e tjera, të ardhurat në buxhetin e shtetit për 8 muajt e parë janë rritur me rreth 100 milionë euro krahasuar me vjet. Por në raport me planin ato janë 55 milionë euro më pak, dhe arsyeja kryesore e mosrealizimit janë pikërisht të ardhurat nga TVSH.