Targimi i varkave frenon gjuetinë e paligjshme në liqen

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Shkodër për një takim me peshkatarët e liqenit të këtij qyteti.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Shkodër për një takim me peshkatarët e liqenit të këtij qyteti.
Ai mori pjesë në targimin e varkave të peshkatarëve, një mënyrë kjo e re në vendin tonë për të shmangur gjuetinë e paligjshme në ujërat e brendshme. Duke folur me peshkatarët, ministri Çuçi tha se kjo që po bën Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Shkodër është një model për t’u aplikuar edhe me organizatat e tjera në vend. Ai tha se nuk duhet të ketë vend në liqen për shkelësit e ligjit dhe se toleranca ndaj tyre do të jetë zero, shkruan ATSH.
“Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Shkodër është tashmë një hap përpara drejt formalizimit të aktivitetit të peshkatarëve. Targimi i varkave shënon një kthesë të rëndësishme për të frenuar gjuetinë e paligjshme në liqen. Ne synojmë që këtë model ta aplikojmë edhe me organizatat e tjera të peshkimit në vend. Për ata që shkelin ligjin dhe që operojnë jashtë OMP-ve nuk do të ketë asnjë tolerim. Liqeni i Shkodrës mbetet një aset i rëndësishëm në industrinë e peshkimit në vend. Prej shumë vitesh prodhimi është stabël dhe në të njëjtin nivel me atë të para viteve ’90, me rreth 1300 ton në vit”, u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.