Takimi Zaev-Tusk në Bruksel: Hapet rruga drejt integrimit në BE

"Kjo është një javë e mirë për vendin tuaj dhe për Ballkanin Perëndimor. Ministrat e Jashtëm të BE-së e hapën rrugën për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë dhe Shqipërisë në qershor 2019", tha Tusk

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i cili ndodhet në vizitë dy ditore në Bruksel sot zhvilloi takim me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kjo është një javë e mirë për vendin tuaj dhe për Ballkanin Perëndimor. Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së e hapën rrugën për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2019 dhe për disa orë presim që shefat e qeverive ta konfirmojnë këtë vendim”, deklaroi në konferencën për media kryetari i Këshillit të BE-së Donald Tusk me kryeministrin Zoran Zaev.

Ai tha se përparimi nuk do të ishte i suksesshëm pa angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë, duke theksuar arritjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit me emrin, që paraqet shembull për të tjerët në rajon se si duhet që të zgjidhen problemet.

“Gjatë vizitës time në Shkup pashë një vullnet të dukshëm politik për të ecur përpara në integrimet euroatlantike dhe se do të mbeteni në këtë rrugë që të mbani hapin e reformave në fushat kryesore”, tha Tusk.

Ai i falënderoi autoritetet e Maqedonisë për përpjekjet në krizën migratore në vitin 2015.

Kryeministri Zaev, theksoi se sot në Bruksel në zemrën e Evropës është konfirmuar lajmi i madh që Republika e Maqedonisë të marrë datë për negociata në qershor të vitit 2019.

“Vendi ynë e meriton këtë. Liderët e BE-së thanë po, vendi e meriton këtë. BE-ja pranoi se Maqedonia nga një vend i robëruar vetëm për një vit bëri një kthesë të madhe. Për vetëm një vit Republika e Maqedonisë është vend i ndryshimeve pozitive, i inkluzivitetit, dialogut politik, për vullnet politik për zgjidhjen e problemeve me fqinjët”, tha në konferencë kryeministri Zaev.

Ai në Bruksel shoqërohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov sot pasdite do të takohet me Eurokomisarin për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim, Johannes Hahn.

Zaev nesër do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas çka parashihet konferencë e përbashkët për media.