Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologia e tij austriake, Karin Kneissl, realizuan një takim bilateral, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe zhvillimet në rajon, raporton Anadolu Agemcy (AA).
Ministrja për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, u shpreh në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit tha se do të vazhdojnë mbështetjen për Shqipërinë në procesin e reformave dhe integrimit evropian.
“Kriteret që janë shprehur tashmë nga Komisioni Evropian (KE) duhet të mbahen gjallë dhe duhet t’i përmbushim. Ju inkurajoj që të vazhdoni në këtë rrugë dhe ju përgëzoj për përpjekjet dhe punën e arritur në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të pavarësisë së gjyqësorit, Për çështjet e interesit kombëtar vendi të jetë i bashkuar”, tha kryediplomatja austriake.
Kneissl, në lidhje me marrëveshjen Maqedoni-Greqi për çështjen emrit, tha se “Negociatat mes Shkupit dhe Athinës i kemi ndjekur nga afër gjatë muajve të fundit. E di që tashmë po ndodhin një sërë interpretimesh dhe nuk dua të bëhem pjesë e këtij kori kaq të madh interpretimesh pasi nuk mendoj se kjo do të ndihmonte. Mendoj se tani këto palë të ndryshme duhet të ecin përpara”.
Për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe për debatin në lidhje me kufijtë mes dy vendeve, ajo tha se ideja e rregullimeve, ndryshimeve dhe shkëmbimeve duhet parë me kujdes.
Ndërsa ministri Bushati tha se gjatë takimit është diskutuar për stadin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Austrisë, por edhe për situatën në rajon.
“Nisëm ditën e punës përmes organizimit të një takimi të posaçëm, në kuadër të presidencës austriake të BE-së. Pranë nesh shtrohet rruga e përmbushjes së disa detyrave konkrete deri në momentin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Morëm në shqyrtim pikat më të mprehta të sigurisë dhe shpresën dhe dëshirën e madhe që falë fokusit të qartë të Austrisë vendet tona të përparojnë çdo ditë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Bushati.
Kujtojmë se Bushati dhe Kneissl kryesuan takimin e ministrave të Integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, që u mbajt në Tiranë.
Kryediplomati i Shqipërisë realizoi një takim edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, ku diskutuan për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbështetjen e Kroacisë në këtë proces.