Sulm me bombë në afërsi të zyrës së kandidatit për zv/president në Afganistan

Në afërsi të zyrës së kandidatit për zëvendëspresident të Afganistanit, Amrullah Saleh, ka shpërthyer një bombë. Ky sulm vjen pikërisht teksa në Afganistan sot nisi zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen më 28 shtator.

Saleh në këto zgjedhje po kandidon si zëvendës i presidentit aktual afgan, Ashraf Ghani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi tha për Radion Evropa e Lirë se një sulmues është futur në ndërtesën e partisë së Saleh pas shpërthimit dhe është përleshur me forcat e sigurisë afgane.

Dëshmitarët thanë për Radion Evropa e Lirë se e kanë parë Salehun duke u evakuuar nga ky kompleks në Kabul, teksa brenda ndërtesës kishte përleshje të armatosur.

Sipas informacioneve të para, të paktën një person është vrarë nga shpërthimi i bombës dhe të paktën 13 të tjerë janë plagosur.