Studentëve iu rritën kostot! Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe transportit po i prek të gjithë

Valmira Hoxha studion në Fakultetin e Ekonomisë në degën e Administrim Biznesit por me rritjen e çmimeve e ka të vështirë të menaxhojë buxhetin 30 mijë lekë që i ka përcaktuar familja. Gjatë orës së pushimit e takuam për të shkuar në një nga ndalesat ditore para nisjes së seminarit. “Vij këtu për diçka të…

Valmira Hoxha studion në Fakultetin e Ekonomisë në degën e Administrim Biznesit por me rritjen e çmimeve e ka të vështirë të menaxhojë buxhetin 30 mijë lekë që i ka përcaktuar familja.

Gjatë orës së pushimit e takuam për të shkuar në një nga ndalesat ditore para nisjes së seminarit.

“Vij këtu për diçka të shpejtë. Byreku është i fundit që vihet re në fakt, por diskuton se 10 lekë më shumë si dhe nuk është e njëjta sasi”, thotë ajo teksa blen një byrek që tashmë kushton 40 lekë.

Studentja shkodrane që prej dy vitesh jeton në Tiranë tregon se me rritjen e çmimit të naftës është e detyruar të mos shkojë çdo fundjavë në vendlindjen vetëm një orë larg, por i duhet ta takojë familjen, ndoshta një herë në muaj.

“Kur shkova para dy javësh në Shkodër bileta ishte 400 lekë nga 350 lekë që kam paguar më parë. Ndërsa tani bileta ka shkuar 450 lekë”, thotë ajo.

Por edhe pazaret e javës rëndojnë në xhepin e studentes 20-vjeçare.

“Marr gjërat më të lira, kjo është kryesorja. Ja vaji ka pësuar rritjen më drastike. Por edhe makaronat e orizi. Ja ky ka qenë më parë 100 lekë, sot po e blej 135 lekë”.

Shporta e saj në market nuk mbushet plot, por me pak produkte që janë të nevojshme për konsumin e përditshëm.

Ajo është përpjekur të kursejë në shpenzimet jo të domosdoshme, mirëpo sërish edhe me gjërat bazë kuleta e saj mbetet bosh.

Valmira thotë se e ka ndjekur paketën e qeverisë për krizën dhe mendon se edhe studentët duhet të ishin përfshirë.