Studentët e Tetovës në protestë: 7 ditë afat për plotësimin e kërkesave

Nëse nuk plotësohen, protestat përshkallëzohen

Studentët, kryesisht të Universitetit të Tetovës, sot për të tretën ditë protestuan duke kërkuar kështu plotësimin e kërkesave të tyre. Ata janë takuar në Universitetin e Tetovës me përfaqësues të këtij institucioni. Mollë sherri mbeti nëse diskutimi të jetë publik apo i mbyllur mes përfaqësuesve të studentëve dhe universitetit. Është dakorduar për një afat shtatë ditësh për të plotësuar këto kërkesa, në të kundërtën studentët paralajmëruan përshkallëzimin e tyre.

Studentët thonë se nuk duan të përçahen dhe të përfaqësohen vetëm nga 13 prej tyre, por kërkojnë të gjithë të jenë të pranishëm në diskutim me Senatin i cili do të jetë publik dhe para mediave.

Nga UT-ja kërkuan që studentët të dorëzojnë zyrtarisht kërkesat në Senatin e Universitetit dhe më pas të negociohet me 13 studentë që përfaqësojnë gjitha fakultetet në këtë Universitet.

Nga ana tjetër, studentët thonë se nuk pranojnë negociata për kërkesat e tyre por kërkojnë plotësimin e të gjitha kërkesave.

Në fund u dakordua që Universiteti i Tetovës do të ketë shtatë ditë afat rreth miratimit të kërkesave të studentëve, në të kundërtën, siç thanë,  protestat mund të përshkallëzohen./Klan Macedonia