Stoltenberg në Shkup: Jemi gati t’ju mirëpresim në familjen e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është mbajtur konferencë e përbashkët për media me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev

Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Aleanca Veri-Atlantike është e gatshme të mirëpresë Maqedoninë e Veriut si anëtare e 30-të e NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg po qëndron në vizitë zyrtare në Shkup, ku është mbajtur takim i Këshillit Veri-Atlantik me Komitetin për Integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, pas çka u organizua konferenca e përbashkët për media në të cilën i pranishëm ishte edhe kryeministri Zoran Zaev.

“Kjo është vizite historike, vizitë e parë ndonjëherë e Këshillit Veri-Atlantik në shtetin e juaj. Vizita jonë dërgon një porosi shumë të qartë: Ne jemi gati t’ju mirëpresim në familjen e NATO-s”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu përgëzoi kryeministrin Zaev për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi siç u shpreh ai, kjo i mundësoi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Stoltenberg tha se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me reformat në sferat siç janë sundimi i së drejtës, siguria dhe mbrojtja, për çka u shpreh se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën e vendeve anëtare të NATO-s.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaroi se Republika e Maqedonisë së Veriut po bëhet pjesë integrale e bashkësisë trans-atlantike, duke theksuar se vendi është gatshëm për t’u bërë anëtar i plotfuqishëm dhe “aleat i sigurt dhe i besueshëm i NATO-s”.

Zaev theksoi se nënshkrimi i protokolleve nga vendet anëtare po vijon sipas dinamikës së dëshiruar. Ai gjithashtu tha se samiti i NATO-s që do të mbahet në muajin dhjetor në Londër, është mundësi e mirë që në 70 vjetorin e themelimit të Aleancës, Maqedonia e Veriut të bëhet anëtari i 30-të.

Zaev: Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj

Gjatë konferencës për media, kryeministri Zoran Zaev, u pyet nëse Republika e Turqisë mund të ngadalësojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO shkaku i kërkesës turke për ekstradimin e anëtarëve të organizatës terroriste FETO.

“Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj. Pritjet e tyre janë që pasi të përfundojnë të gjitha proceset politike zgjedhore, e dini që ka zgjedhje të përsëritura në Stamboll, pas asaj do të fillojnë procedurën”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se ministritë e drejtësisë nga të dyja vendet vazhdojnë bashkëpunimin për çështjet e hapura “në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare”. Zaev tha se pret që Turqia edhe kësaj radhe të dëshmojë se është një mik i madh i Maqedonisë së Veriut, gjë që, siç u shpreh ai, Turqia po e dëshmon çdo ditë dhe në çdo segment të bashkëpunimit.

Stoltenberg, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, po vijon me vizitën dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, para qeverisë u organizua pritje solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, pas çka kreu i NATO-s zhvilloi takim kokë më kokë me kryeministrin Zaev.

Të dielën, Stoltenberg u takua me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ndërsa është paraparë edhe takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Kjo është vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit Veri-Atlantik në Shkup pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të vendit në Aleancë.