Stamboll, nis Samiti i 9-të i Bosforit

Në samit marrin pjesë akademikë, politikanë dhe ekspertë nga vende të ndryshme

Samiti i 9-të i Bosforit, takim ndërkombëtar ekonomik në Stamboll, filloi sot me temën “Mbështetja e paqes dhe zhvillimit për të gjithë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti organizohet nga Platforma e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (ICP) nën kujdesin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

Në kuadër të samitit do të diskutohen tema si luftërat tregtare, tregtia me valuta vendase, projektet zhvillimore, paqja globale dhe energjia e rinovueshme, nga ekspertë, akademikë, biznesmenë dhe politikanë nga disa vende.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së samitit, Talal Abu Ghazaleh, kryetari i nderit i ICP-së, tha se paqja globale mund të arrihet vetëm në një botë pa luftëra tregtare.

Ai pohoi se në vitin 2020, bota do të përballet me një krizë të rëndë ekonomike, e cila ai tha se do të nxisë “një luftë të re botërore”.

Duke folur gjithashtu në ceremoni, kryetari i Asamblesë së Eksportuesve Turq, Ismail Gülle, tha se samiti është një eveniment i rëndësishëm që bashkoi kultura të ndryshme, duke hapur mundësi të reja në biznesin global dhe tregtinë ndërkombëtare.

Ali Kopuz, nënkryetari i Unionit të Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Turqisë, tha se tregtia globale është prekur rëndë nga luftërat tregtare dhe masat proteksioniste, duke kërcënuar rritjen globale.

“Në botë ekzistojnë 192 milionë njerëz të papunë dhe numri është në rritje. Në një tablo të tillë, proteksionizmi është një skenar absolutisht anksioz”, tha Kopuz.

Ndryshe, siç është njoftuar më herët, evenimenti synon të rrisë investimet tregtare dhe të takojë biznesmenët, si dhe të mbledhë njerëz që mund të diskutojnë zhvillimet në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë.

Gjithsej 198 folës me ndikim do të marrin pjesë në një sërë panelesh diskutimesh me tema të ndryshme.