Spitalet e Kalifornisë dërgojnë furnizime mjekësore në Ukrainë

Spitalet në Kaliforninë Jugore po dërgojnë sasi të mëdha ndihmash mjekësore në Ukrainë. Fondacioni bamirës “Stand with Ukraine LA”, ka mobilizuar spitalet në mbarë shtetin në përpjekjet për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta. Rreth dhjetë tonë pajisje dhe furnizime mjekësore për pavionet e traumës, kirurgjisë dhe kujdesit intensiv janë mbledhur nga vullnetarët e…

Spitalet në Kaliforninë Jugore po dërgojnë sasi të mëdha ndihmash mjekësore në Ukrainë. Fondacioni bamirës “Stand with Ukraine LA”, ka mobilizuar spitalet në mbarë shtetin në përpjekjet për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta.

Rreth dhjetë tonë pajisje dhe furnizime mjekësore për pavionet e traumës, kirurgjisë dhe kujdesit intensiv janë mbledhur nga vullnetarët e fondacionit “Stand with Ukraine” në Los Anxhelos të Kalifornisë. Në mesin e vullnetarëve është edhe onkologu amerikan dhe emigranti nga Ukraina, Mykola Onyshchenko.

“Kemi shumë materiale për trajtimin e plagëve, ilaçe, shiringa, dhe veshje për pacientët”, thotë ai.

Gjashtë qendra të mëdha mjekësore nga Los Anxhelosi dhe zona të tjera të Kalifornisë jugore kanë dhuruar pajisje mjekësore për Ukrainën.

“Ne vendosim gjithçka në kuti të ndryshme, kemi marrë një listë nga Ministria ukrainase e Shëndetësisë me artikuj që u duhen njerëzve në Ukrainë, kështu që ne e dimë se çfarë u duhet. Ne po mundohemi t’i japim përparësi gjërave për të cilat ata kanë nevojë më së shumti”, thotë zoti Onyshchenko.

Vullnetarët më pas i ngarkojnë ndihmat mjekësore në aeroplanë të veçantë për transportimin e tyre në Ukrainë. Ata thonë se nuk prisnin një përgjigje kaq mbresëlënëse nga institucionet mjekësore. Ata u detyruan të kërkonin më shumë vullnetarë për të përballuar fizikisht valën e madhe të ndihmave me pajisje dhe furnizime mjekësore. Shumë amerikanë, emigrantë nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia ofruan ndihmën e tyre në këtë drejtim.

“Shumë njerëz po na ndihmojnë! Ata vijnë këtu për të na ndihmuar në sistemimin e ndihmave mjekësore përpara se t’i dërgojmë ato në Ukrainë”, thotë Bohdan Kalyanov nga Qendra Vullnetare.

Në Ukrainë, ngarkesat e çmuara mjekësore u jepen organizatave të ndryshme bamirëse, të cilat më pas i shpërndajnë ato në spitalet e përgjithshme ose ushtarake pranë vijave të frontit.

Bashkëthemeluesi i fondacionit bamirës “Stand with Ukraine LA”, Mykhailo Lavrys, thotë se do të mbledhë shumë më tepër ndihma humanitare. Për momentin, fondacioni është në bisedime me Qendrën Mjekësore Ronald Reagan të Universitetit Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), një nga më të mëdhatë në vend, për dërgimin e pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve në Ukrainë.

“Ne kemi një kërkesë nga Ministria ukrainase e Shëndetësisë për pajisje mjekësore dhe ilaçe specifike. Po punojmë edhe me konsullatën e Ukrainës. Qendra Mjekësore Ronald Reagan UCLA na kontaktoi dhe me kënaqësi na ofroi të gjitha gjërat që kërkuam, të gjitha gjërat që na mungonin”, thotë Mykhailo Lavrys, bashkëthemelues i fondacioni “Stand with Ukraine LA”

Avioni me ndihmat mjekësre pritet të niset për në Ukrainë në mes të majit./VOA