Spasovski: Komuniteti turk, ind lidhës në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut

"Arsimi në gjuhën amtare turke, që filloi në Tefejuz në oborrin e Xhamisë së Sulltan Muratit në Shkup në vitin 1944, vazhdon edhe sot të shpërndajë dije me të njëjtën frymë", tha Şentop

Në manifestimin qendror të pritjes të mbajtur në Shkup me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së mësimit në gjuhën turke, kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë

, deklaroi se turqishtja është gjuhë e përbashkët që flitet nga miliona njerëz nga Adriatiku e deri në Kinë dhe se në këtë mënyrë vazhdon të krijojë lidhje midis zemrave, raporton Anadolu Agency (AA).

Manifestimi u organizua nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSİTEB), në mbështetje nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe nga Instituti “Yunus Emre” – Shkup. Ai filloi me intonimin e himneve të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, ndërsa pas fjalimeve u ndanë dhurata për nëntë studentë, fitues në garat në fushën e poezisë dhe pikturës.

Të pranishëm në ceremoni ishin kryeparlamentari Şentop, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, ministri pa resor i angazhuar për investime të jashtme, Elvin Hasan, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murat, ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kreu i MATÜSİTEB-it, Hüsrev Emin, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke, deputetë, biznesmenë, akademikëve dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Şentop përcolli përshëndetjet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, për të cilin tha se “ndien dashuri për rajonin”. Ai tha se ndihet i lumtur që merr pjesë në festimet me rastin e Ditës së mësimit në gjuhën turke si pasardhës i një familjeje me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

“Arsimi në gjuhën amtare turke, që filloi në shkollat Tefejuz në oborrin e Xhamisë së Sulltan Muratit në Shkup në vitin 1944, vazhdon edhe sot të shpërndajë dije me të njëjtën frymë dhe kontributet tuaja”, tha Şentop.

Kryeparlamentari turk më tej tha se prania e komunitetit dhe gjuhës turke në këto troje daton para ardhjes së osmanëve, duke shtuar se turqit bëjnë pjesë në mesin e popujve vendas të Ballkanit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Turqishtja është një nga gjuhët që e ka ndërtuar këtë gjeografi dhe kulturë”, shtoi Şentop.

Spasovski: Komuniteti turk, ind lidhës në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut

Zv/kryeministri dhe ministri Spasovski, nga ana e tij, në ceremoninë e pritjes para të pranishmëve shprehu kënaqësi që është pjesë e manifestimit për shënimin e kësaj feste të komunitetit turk.

“Në spektrin e pasur etnik të kësaj tokës sonë maqedonase bashkësia etnike turke është një ind lidhës i rrënjësor thellë në zhvillimin kulturor, historik dhe shoqëror të shtetit tonë. Ky pozicion i ndërtuar me besim të fuqishëm dhe qëllim të mirë, me solidaritet dhe respektim të bashkëqytetarëve, meriton respektin më të lartë të mundur”, deklaroi Spasovski.

Bashkëjetesa ndër shekuj midis komuniteteve të dy vendeve, tha Spasovski, manifestohet me mbështetjen e Turqisë ndaj Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e vendit të tij. Ai po ashtu theksoi se duhet të ruhet dhe kultivohet miqësia e cila, sipas tij, ka mbetur si trashëgimi nga paraardhësit.

Ministri pa resor i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasan, tha se arsimi në gjuhën turke është një nga elementet nga të cilat turqit e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk do të heqin dorë.

Duke folur për punimet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në fushën e arsimit, ai porositi komunitetin turk dhe mësimdhënësit të kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit në gjuhën turke dhe jo vetëm duke ndjekur reformat, por edhe duke qenë pjesëmarrës në ndryshimet që bëhen në këtë fushë.

Ambasadori turk: Njerëzit e këtij vendi kanë trashëguar pasuritë e tyre në paqe dhe harmoni

Ambasadori Sekizkök rikujtoi se sapo ka arritur rishtazi me detyrë në Shkup dhe uroi Ditën e mësimit në gjuhën turke si një “ditë e veçantë për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut”.

Sekizkök tha se njerëzit e këtij vendi të bukur, që kanë jetuar së bashku për shekuj, kanë trashëguar pasuritë e tyre unike kulturore deri në ditët e sotme në paqe dhe harmoni.

Sekizkök theksoi se i kushtojnë rëndësi që gjeneratat e reja që përfaqësojnë komunitetin turk, krahas gjuhës turke, të fitojnë edhe arsim cilësor në të gjitha fushat dhe të kenë kushte të përshtatshme për këtë.

“Në kuadër të këtij objektivi, dua të theksoj se mbështetja dhe interesimi i Turqisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në bashkëpunim me autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ambasadori turk.

“Me rastin e kësaj feste, dua të shpreh mirënjohjen tonë për të gjithë njerëzit tanë që kanë pasuruar dhe ruajtur turqishten tonë gjatë gjithë historisë”, shtoi Sekizkök.

Ai po ashtu falënderoi kontribuesit në organizimin e shënimit të Ditës së mësimit në gjuhën turke, me në krye MATÜSİTEB-in, TIKA-n dhe Institutin “Yunus Emre”.

Ndërkaq, organizatori i manifestimit, kreu i MATÜSİTEB-it, Emin, u shpreh se turqit e Maqedonisë së Veriut janë të lumtur që, siç tha ai, janë tubuar dhe përjetojnë entuziazmin e gjuhës turke.

Ai tha se 21 Dhjetori është treguesi më i madh i pranisë së turqve në Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se edhe këtë vit, aktivitetet festive organizohen me TIKA-n dhe Instituin Yunus Emre.

“MATUSITEB, organizatë e shoqërisë civile ku përfaqësohen turqit e Maqedonisë së Veriut, sikurse deri më sot, vazhdon të jetë e gatshme për bashkëpunim në çdo veprimtari dhe hap që bëhen për tejkalimin e problemeve të bashkëkombasve tanë”, tha Emin.

Para pritjes solemne, të pranishmit kishin rastin të shikonin edhe ekspozitën me fotografitë e projekteve mbështetëse të TIKA-s në fushën e arsimit në Ballkan dhe Evropën Lindore.

Sot, me rastin e festës së komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut, Şentop qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Ai paradite u prit në takim nga homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi, të cilët pas takimit së bashku morën pjesë në simpoziumin e kushtuar kësaj dite “Vlerat e humbura të kulturës turke në Ballkan dhe Evropën Lindore”, të organizuar po ashtu nga MATÜSİTEB, në mbështetje të TIKA-s dhe Instituti “Yunus Emre” – Shkup.