Spanja i falet Diego Costas, sa shumë vuajtje ndaj Iranit

Diego Costa godet përsëri, Spanja ngjitet në krye të grupit B

Spanja ka dominuar me shifra të frikshme ndeshjen e dytë të grupeve ndaj Iranit, por nuk arriti ta konvertonte në gola superioritetin e saj teksa ka fituar vetëm 1-0. Gjithsesi me këtë fitore spanjollët ngjiten në krye të grupit bashkë me Portugalinë, teksa Irani do të luajë për fitore në ndeshjen e fundit ndaj Ronaldo-s me shokë për të siguruar kualifikimin në fazën e nokautit.

Lojë e fortë dhe me shumë nerva nga të dyja kombëtaret, të cilat nisën të luftonin vetëm për tri pikët që nga fillimi. Irani që pati fituar takimin e parë kundër Marokut në minutën e 5-të shtesë, sot ishte “kockë e fortë” për formacionin e Fernando Hierro.

Pasime të sakta dhe mbizotërim në qarkullimin e topit për ekipin spanjoll, megjithatë, portugezi Carlos Queiroz udhëzonte në mënyrën më të mirë skuadrën e tij, e cila përgjatë gjithë 45 minutave të para të takimit ishte e barabartë në lojë me kampionët e botës të vitit 2010.

Por qëllimet ishin të ndryshme, teksa Spanja luftonte për të zhbllokuar rezultatin, Irani luante me të gjitha forcat për të ruajtur rrjetën të paprekur. Dhe thuajse ia arritën! Pas një pjese të parë pa shumë gjëra për të treguar, e cila u karakterizua nga përpjekjet e panumërta të Spanjës për të çarë barrikadën e 11 lojtarëve iranianë që qëndronin shumë pranë portierit, pjesa e dytë kishte më shumë emocione.

Spanja e nis me më tepër grintë dhe agresivitet dhe me shumë fat arrin të kalojë në avantazh kur topi përplaset në këmbën e Diego Costa-s dhe përfundon në rrjetë. Irani luan si një trup i vetëm, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Dhe madje arrin të krijojë dy-tre raste të mira për të barazuar rezultatin (përfshi një gol të anuluar për pozicion jashtë loje, me të drejtë). Në fund janë spanjollët që buzëqeshin, por iranianët duhet të ndihen krenarë për disiplinën dhe shpirtin e garës që ka treguar në fushën e lojës.

Iran – Spanjë 0-1
Shënues: Diego Costa 54’

Irani: Beiranvand, Pouraliganji, Rezaeian, Hosseini, Hajsafi (Mohammadi 69’), Ebrahimi, Amiri (Ghoddos 86’), Ezatolahi, Ansarifard (Jahanbahaksh 74’), Taremi, Azmoun. Trajner: Carlos Queiroz

Spanja: De Gea, Ramos, Piqué, Jordi Alba, Carvajal, Iniesta (Koke 71’), David Silva, Sergio Busquets, Isco, Vázquez (Asensio 80’), Diego Costa (Rodrigo 89’). Trajner: Fernando Hierro

Gjyqtarë: A. Cunha, N. Taran, M. Espinosa, J. Bascuñán
Kartonë të verdhë: Amiri 79’, Ebrahimi 90’

Stadiumi: Kazan Arena

Kapacitet: 45105 spektatorë

https://www.youtube.com/watch?v=puOptm8VW8k