Soylu: Terroristët e PKK nga droga fitojnë 1.5 miliard dollarë në vit

"PKK është një organizatë që merret me trafikimin e njerëzve dhe drogës. Këtë fakt e pranon edhe SHBA në raportet e saj", ka thënë Soylu

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Süleyman Soylu deklaroi se organizata terroriste PKK në vit nga prodhimi dhe kontrabandimi i drogës fiton 1.5 miliard dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Askush të mos më flasë për PKK-në si një organizatë etnikisht të motivuar terroriste. Këto janë gënjeshtra dhe gjëra që nuk përkasin me realitetin në terren. PKK është një organizatë që merret me trafikimin e njerëzve dhe drogës. Këtë fakt e pranon edhe SHBA në raportet e saj”, ka thënë Soylu në takimin për luftën kundër kontrabandës me drogë në provincën jugore turke Antalya.

Soylu theksoi se problemet e terrorizmit dhe drogës janë të ndërlidhura.

“Terrorizmi hap hapësirë dhe siguron logjistikë për prodhimin dhe kontrabandën e drogave. Nga ana tjetër, droga u siguron financa organizatave terroriste”, tha Soylu.

Ai kujtoi se gjatë vitit 2016, policia në 28 shtete anëtare të Bashkimit Evropian sekuestroi gjithsej 4.27 ton heroinë.

“Turqia vetë në vitin 2017 sekuestroi 15 ton ndërsa vitin e kaluar 17.9 ton heroinë”, tha Soylu dhe njoftoi vazhdimin e një lufte vendimtare kundër terrorizmit dhe kontrabandës me drogë.

PKK është një organizatë separatiste në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Gjatë fushatës së armatosur tre-dekadashe kundër Turqisë, terroristët e PKK vranë të paktën 40.000 persona.