Sot takohet treshja Rama-Vuçiç-Zaev në Tiranë, Kosova nuk merr pjesë!

Ditën e sotme dhe të nesërme, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të qëndrojnë në Tiranë për të qenë të pranishëm dhe zhvilluar atë që njihet si takimi i “mini-shengenit ballkanik”.

Ditën e sotme dhe të nesërme, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të qëndrojnë në Tiranë për të qenë të pranishëm dhe zhvilluar atë që njihet si takimi i “mini-shengenit ballkanik”.

Pas takimeve të zhvilluara në Novisad dhe Ohër, kësaj here Rama, Vuçiç dhe Zaev do të takohen në Tiranë. Duhet thënë se Kosova e ka bojkotuar këtë nismë.

Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve të tjera, partitë politike në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pasi i tha “jo” ftesës së Ramës deklaroi se derisa Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta.

Katër partitë parlamentare, përfshirë dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Vetëvendosje dhe LDK thonë se nuk mund të flitet për asnjë bashkëpunim rajonal me një shtet që i mohon krimet e veta.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu u shpreh për KosovaPress, kundër takimeve të tilla, për aq kohë sa haptas mohohet gjenocidi i kryer në Kosovë nga Serbia. Kundër këtij bashkëpunimi rajonal u shpreh edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, i cili tha se fillimisht Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj.

Edhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deputeti i zgjedhur, Memli Krasniqi, deklaroi se qasja e shtetit shqiptar duhet të ndryshojë karshi Serbisë, pasi në këtë formë duke mohuar krimet, nuk mund të shkohet përpara.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kërkoi reagim nga të gjitha vendet mike të Kosovës për mohimin e masakrës së Reçakut, teksa thotë se deklaratat e tilla duhet të ndërpresin çfarëdo bashkëpunimi mes shteteve.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dje mbajti një protestë kundër takimit të Vuçiçit ndërsa për sot në ora 17:00 në lulishten “Qemal Stafa” përballë hotel “Rogner” në Tiranë paralajmëroi një tjetër aksion simbolik paqësor për të shprehur kundërshtimin ndaj vizitës së Aleksandër Vuçiç dhe “mini-shengenit ballkanik”.