Skenarët paszgjedhorë për Italinë

Zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit në Itali nuk mundën të nxirrnin një fitues të qartë, një parti apo koalicion të vetëm që mund të formojë qeverinë.

Perspektiva e një koalicioni të madh midis partisë Forca Italia të Berluskonit dhe Partisë Demokratike të Renzit, i parashikuar përpara votimit, nuk është më i realizueshëm pasi të dyja partitë nuk patën sukses në votime.

Partia Movimento 5 Stelle, e renditur e para për nga përqindja e votave (rreth 32 për qind) po ashtu nuk mund të qeverisë e vetme.

Tre janë skenarët e mundshëm.

Koalicioni i krahut të djathtë

Koalicioni i formuar nga grupet e ekstremit të djathtë dhe partia e qendrës së djathtë të Silvio Berlusconi Forza Italia mori 37 përqind të votave, dhe si koalicion renditet në vend të parë.

Brenda koalicionit kryeson Lega (ish-Lega Nord) e Matteo Salvinit, duke i shkaktuar një goditje partisë së Berlusconit.

Koalicioni nuk ka shumicën absolute, por, duke folur pas votimit, Salvini tha se kishte “të drejtën dhe detyrën” për të qeverisur vendin.

Salvini e bëri deklaratën për udhëheqje duke thënë se partia kryesore në koalicion, pra Lega, duhet të emërojë kryeministrin e ardhshëm.

Aleanca 5 Yjet

Partia populiste Movimento 5 Stelle ishte fituesja e vërtetë e zgjedhjeve duke u renditur në vend të parë, dhe pse kandidoi e vetme, jashtë koalicioneve. M5S këtë vit, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, mori shumë vota dhe në jug të vendit.

E themeluar në vitin 2009, partia anti-sistem ka përjetuar një rritje meteorike, duke përfituar nga një valë zemërimi dhe frustrimi të italianëve ndaj partive tradicionale të Italisë.

Udhëheqësi i M5S 31-vjeçar Luigi di Maio tha se “ndjen përgjegjësinë për të formuar një qeveri për Italinë”, pasi mori 32 përqind të votave.

Megjithëse përpara zgjedhjeve kishte përjashtuar formimin e aleancave, Di Maio tha se partia ishte gati të hapte diskutime “me të gjithë aktorët politikë” për të ndihmuar në formimin e shumicës në parlament.

Duke pasur parasysh rivalitetin e tij të nxehtë me Partinë Demokratike dhe Berluskonin, aleati më i mundshëm i Di Maio duket se është Lega e Salvinit.

Megjithatë, deri më tani Salvini e ka mohuar mundësinë e formimit të një koalicioni me M5S.

Qeveri e përkohshme

Nëse nuk ka aleancë, Presidenti Sergio Mattarella mund të zgjedhë të lërë në qeverisje qeverinë aktuale të qendrës së majtë të Kryeministrit Paolo Gentiloni.

Kjo do t’i jepte kohë vendit të ngrinte një qeveri të përkohshme për të reformuar kodin zgjedhor dhe për të organizuar zgjedhje të reja.

Por procesi do të marrë kohë pasi konsultimet mund të fillojnë vetëm pasi deputetët e sapozgjedhur të parlamentit të takohen për herë të parë më 23 mars për të zgjedhur folësit e dy shtëpive të parlamentit.

Në të njëjtën situatë bllokimi pas zgjedhjeve të fundit të Italisë në 2013, u deshën më shumë se dy muaj për të formuar qeverinë.

/exit.al/