Skandali me kompaninë fantazmë, Gjiknuri: ARRSH prishi kontratën me “DH Albania”

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën me kompaninë “DH Albania”, e cila ka falsifikuar dokumentet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën me kompaninë “DH Albania”, e cila ka falsifikuar dokumentet.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ditën e sotme.

Ministri Gjiknuri theksoi se dokumentet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ku janë falsifikuar dokumentet, tregojnë se kompania “DH Albania” ka bërë falsifikim.

“Rezulton nga institucionet amerikane se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania “DH Albania” nuk është e saktë, është e falsifikuar. Një pjesë e informacionit nuk ekzistonte në regjistrat kombëtar. Pas marrjes së këtij konfirmimi nga SHBA, ARRSH ka zgjidhur kontratën dhe do fillojë procedurat e sekuestrmit të garancisë së kontratës. Materialet e ardhura nga SHBA do t’i referohen Prokurorisë Shqiptare, e cila tashmë ka hapur një hetim. Të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe OST, ku kjo kompani ka tenderuar në një tender. Nuk rezulton të jetë shkaktuar asnjë dëm financiar buxhetit të shtetit pasi kontratat nuk kanë filluar të zbatohen”, deklaroi Gjiknuri.

Ministri i Infrastrukturës tregoi edhe hapat që ndërmori ai vet pas bërjes publike në media të lajmit se kompania “DH Albania” ka falsifikuar dokumente të një kompanie në SHBA.

“Më 7 Dhjetor në mëngjes i jam drejtuar zyrtarisht ambasadës amerikane me shkresë, Ministrisë së Jashtme që nëpërmjet ambasadës tonë në Uashingon të vihej në lëvizje dhe kam kontaktuar me zyrtarë të ambasadës së SHBA me të cilët kam zhvlluar takim në zyrën time, të cilëve u kam kërkuar ndihmë dhe asistencë për të verifikuar një pjesë të dokumentacionit të dorëzuar në tender”, u shpreh ministri Damian Gjiknuri.

Ky i fundit deklaroi gjithashtu se ka propozuar ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore të prokurimeve publike, për të bërë verifikime të kompanive tenderuese, si dhe shtoi se çdo zyrtar që do të rezultojë i përfshirë në këtë aferë korruptive, do të dalë para ligjit.

Në të dhënat që “DH Albania” ka dorëzuar bilance për vitin 2015, 2016 dhe 2017, thuhet se ka qarkulluar qindra milionë Dollarë, por dyshohet se edhe këto bilance janë të falsifikuara, pasi kompania rezulton e regjistruar vetëm në Qershor të vitit 2018, pak para se të fitonte tenderin.

E falsifikuar rezulton edhe data e regjistrimit si dhe një certifikatë e sekretarit të shtetit në Delawer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës kjo kompani nuk ka detyrime fiskale.

Hetim për këtë rast ka nisur dhe prokuroria amerikane, ku në SHBA ky fakt përbën një krim federal. Dyshimet për falsifikimin e firmës së sekretarit të shtetit të Delaëare pritet të përfshijë edhe një kompani tjetër veç Dunwell. /TVKlan