Siri, rritet në 67 numri i të vdekurve nga shpërthimi në Idlib

Rreth 50 persona janë plagosur si pasojë e shpërthimit, i cili shkatërroi dy ndërtesa gjashtë-katëshe të banuara nga civilë të zhvendosur

Numri i të vdekurve nga shpërthimi që ndodhi dje në Idlib në veriperëndim të Sirisë është rritur në 67, njoftoi agjencia e mbrojtjes civile Helmetat e Bardha, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndër viktimat gjenden 35 gra dhe fëmijë, tha drejtori i Helmetave të Bardha në Idlib, Mustafa Haxh Jusuf.

Të dielën, Haxh Jusuf tha se 32 persona ishin vrarë nga shpërthimi që ndodhi në qarkun Sarmada të Idlibit, ku jetojnë civilë të zhvendosur nga provinca veriore e Homsit.

Sipas Haxh, rreth 50 persona janë plagosur si pasojë e shpërthimit, i cili shkatërroi dy ndërtesa gjashtë-katëshe të banuara nga civilë të zhvendosur.

Mbetet e paqartë se cili ishte shkaku i shpërthimit.

Idlibi, që gjendet në Sirinë veriperëndimore pranë kufirit turk, ishte caktuar si “zonë e deeskalimit” në maj, ku aktet e agresionit janë qartazi të ndaluara.