Siri, evakuohen civilët nga bastioni i fundit i Shtetit Islamik

Kamionët kanë nisur të evakuojnë njerëzit nga zona e fundit në Siri, që ende është në duart e Shtetit Islamik. Gazetarët në vijën e frontit kanë parë të paktën 10 automjete të largohen nga fshati Baghuz, në afërsi të kufirit me Irakun.

Kamionët kanë nisur të evakuojnë njerëzit nga zona e fundit në Siri, që ende është në duart e Shtetit Islamik. Gazetarët në vijën e frontit kanë parë të paktën 10 automjete të largohen nga fshati Baghuz, në afërsi të kufirit me Irakun,raporton Top Channel.

Një zëdhënës i aleancës së Forcave Demokratike Siriane, të mbështetur nga SHBA, luftëtarët e së cilës kanë rrethuar zonën, thanë se makinat mbanin civilë.

Të martën, OKB-ja shprehu shqetësim për fatin e rreth 200 familjeve që raportohet se janë bllokuar në Baghuz. Ata, sipas OKB-së janë penguar nga ISIS të largohen dhe u janë nënshtruar bombardimeve intensive të forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA dhe atyre demokratike siriane.

Pesë vite më parë, ISIS kontrollonte rreth 88 mijë kilometra katrorë territore, që shtriheshin nga Siria perëndimore deri në Irakun lindor. Ai kishte shpallur krijimin e kalifatit, duke imponuar sundimin e tij brutal mbi pothuajse 8 milionë njerëz dhe duke gjeneruar miliarda dollarë nga nafta, shantazhet, grabitjet dhe rrëmbimet.

Tani vlerësohet se, rreth 300 militantë janë të rrethuar brenda një zone prej gjysmë kilometri katror tokë.