Sipas një studimi ne konsumojmë plastikë në masën e një karte krediti çdo javë

Shifrat kanë dalë nga një studim i kryer në Universitetin e Newcastle-it në Sidenj, për llogari të Fondit Botëror të Jetës së Egër (WWF). Studimi ka analizuar të dhënat e 50 studimeve të deritanishme, raporton gazeta Tema.

Një studim i kryer së fundmi nxjerr në pah impaktin negativ që ka pasur njerëzimi deri tani mbi natyrën dhe rrjedhimisht edhe mbi vetveten. Ndotja plastike e mjedisit dhe e deteve është në nivele alarmante. Plastika që ne hedhim gjen mënyrën për të ardhur sërish në tryezat tona. Mesatarisht një njeri konsumon 2000 pjesëza të vogla plastike në ditë. Kjo sasi është e barabartë me 5 gramë plastikë, peshë ekuivalente me atë të një karte krediti. Gjatë një viti, në sistemin tonë tretës kalojnë plot 250 gramë plastikë.

Shifrat kanë dalë nga një studim i kryer në Universitetin e Newcastle-it në Sidenj, për llogari të Fondit Botëror të Jetës së Egër (WWF). Studimi ka analizuar të dhënat e 50 studimeve të deritanishme, raporton gazeta Tema.

Sipas studiuesve, pjesa më e madhe e grimcave të plastikës që hyjnë në organizmin tonë janë nën 5 milimetër dhe ne i marrim përmes ujit që pijmë, qoftë ky nga shishet apo edhe nga rubineti. Mikroplastika është e pranishme në ujërat e të gjithë botës, si në ato sipërfaqësore, edhe në ato të nëndheshme. Frutat e detit, birra dhe kripa janë produktet në të cilat është konstatuar nivel i lartë plastike.

Rezulatet e këtij studimi janë një hap i rëndësishëm përpara në të kuptuarit e impaktit që ka ndotja plastike te njerëzit. “Këto rezultate duhet të jenë një kambanë alarmi për qeveritë”, ka thënë për agjencinë ANSA, drejtori i përgjithshëm i WWF, Marco Lambertini.

“Ndërsa vijojnë kërkimet për efektet potenciale negative në shëndetin njerëzor, është e qartë se kemi të bëjmë me një problem global, që mund të zgjidhet vetëm nëse e kufizojmë që në origjinë. Nëse nuk duam plastikë në trupin tonë, duhet të ndalojmë miliona tonë të tillë që përhapen në natyrë. Është i domosdoshëm një reagim urgjent i të gjitha qeverive, kompanive të mëdha dhe vetë konsumatorëve. Duhet një traktat botëror, me objektiva të së njëjtës shkallë”, ka theksuar ai.