Siguria ushqimore/ Vendimi i AKU-së nuk gjen zbatim, datat e skadencës fshihen lehtësisht

Ndërkohë një vit më parë kodi penal ka ashpërsuar penalitetet sa i takon abuzimeve me sigurinë ushqimore, ku falsifikimi i etiketave të produkteve ushqimore tashmë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg.

Edhe pse vendimi që ndalon fshirjen e datave të skadencës nga etiketa e produkteve, mban datën 11 korrik 2018, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njoftoi operatorët e biznesit ushqimor dy vjet pas daljes së tij, se ky vendim do të hynte në fuqi më 19 korrik 2020.

Sipas tij, “informacioni ushqimor i detyrueshëm shënohet në një vend të dallueshëm, në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i dukshëm, qartësisht i lexueshëm dhe të mos fshihet”.

Krahas informacionit për përbërësit ushqimor, një nga elementët më të rëndësishëm të etiketës sa i takon sigurisë ushqimore është dhe data e prodhimit dhe skadencës së produktit.

Euronews Albania bleu disa produkte, të cilat janë prodhuar pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por datat e skadencës sërish fshihen me një të kaluar të gishtit, çka tregon se ligji nuk po gjen zbatim.

Pak alkool i zhduk tërësisht ato.

Problemi është konstatuar edhe nga zyra për mbrojtjen e konsumatorit. Sipas drejtorit Hasan Stafa, arsyeja që ky vendim ende nuk po gjen zbatim, sipas bizneseve, është kostoja e lartë që ai shkakton.

“Nga supervizimi që kemi bërë kohët e fundit, kemi 16 raste të paktën për muajin nëntor, kemi parë përsëri këtë element. Dhe megjithëse është bërë e detyrueshme përsëri inspektoratet ende nuk e monitorojnë në mënyrë të rregullt tregun për ta parë këtë defekt. Nga kontaktet që ne kemi me bizneset , që kemi çuar dhe produktin e kemi ballafaquar , ato si pretendim nxjerrin që boja është shumë e kushtueshme,” – tha drejtori Hasan Stafa.

I pyetur në lidhje me këtë problem AKU thotë se pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, Operatorët e biznesit ushqimor që ushtojnë aktivitet prodhues, ambalazhues dhe tregtues të produkteve ushqimore në Shqipëri, kanë paraqitur kërkesat për notifikimin e etiketave, por ka pasur raste kur këto etiketa nuk janë notifikuar pasi nuk kanë rezultuar në përputhje me kërkesat e reja të vendimit. Ato ju janë kthyer mbrapsht bizneseve që pas rishikimit pritet të aplikojnë sërish.

Në mënyrë që datat e prodhimit dhe skadencës të mos ndryshohen, ato mund të gdhenden në paketim, ose të vulosen me bojë që nuk hiqet.

Vendimi parashikon gjithashtu se stoqet e produkteve ushqimore që nuk përputhen me kërkesat e këtij vendimi dhe që janë vendosur në treg deri në hyrjen në fuqi të tij, mund të vazhdojnë të shiten, por jo më vonë se një vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Për autoritetin kombëtar të Ushqimit mbivendosja e etiketave në produktet ushqimore është gjithashtu e ndaluar. Shpesh kjo ndodh tek produktet me ofertë.

“Kujdes tek koshi i ofertave. Nuk ka produkte që mund të shitet 1+1 me një çmim qesharak. Mbivendosjen e etiketave e bën shpërndarësi. Ato kur shohin që afrohet data dhe kanë një produkt stok atje, e marrin natën  fshehurazi për këtë ne kemi fakte , e çojnë e ri-makazinojnë dhe kanë punëtorë enkas që merren me këto punë. Bëjnë gati copa letrash  të printuara për secilin produkt për t`ia vendosur sipër për ti shtyrë datën. I denatyruar po e po, por ajo mund të jetë dhe e toksiku-ar kur të konsumohet,” – shton Stafa.

Këtij fenomeni nuk i shpëtojnë as produktet më të konsumuara nga fëmijët, si çokollata patatina apo biskota.

Në lidhje me mbivendosjen e etiketave AKU sqaron se kjo lejohet  vetëm tek produkte të caktuara ushqimore, të cilat përfshihen në kategorinë e prodhimit ditor, të tilla si produktet dhe nënproduktet e bulmetit ose të mishit, ku etiketës kryesore i bashkëngjitet një etiketë peshoreje, e cila përmban emrin e produktit ,adresën e biznesit prodhues, datën e skadencës e të tjerë .

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur për shkak të konsumimit të produkteve të tilla fëmijë apo të rritur kanë përfunduar në spital. Nga qershori në gusht në Zyrën për mbrojtjen e konsumatorit janë denoncuar 6 raste helmimesh nga ushqimi i pasigurte i blerë në supermarkete.

Ndërkohë një vit më parë kodi penal ka ashpërsuar penalitetet sa i takon abuzimeve me sigurinë ushqimore, ku falsifikimi i etiketave të produkteve ushqimore tashmë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg./euronews