Siguria, rritet parandalimi i akteve kriminale nga Policia e Shtetit

“Policia e Shtetit ka një fuqi gjithmonë e më të rritur parandaluese, por ka ende elementë për të përmirësuar sa i takon sigurisë”.

“Policia e Shtetit ka një fuqi gjithmonë e më të rritur parandaluese, por ka ende elementë për të përmirësuar sa i takon sigurisë”,raporton ATSH.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, në një takim në Radhimë, Vlorë, ku u diskutua lidhur me ecurinë e sezonit turistik dhe sfidat që dalin në të ardhmen.

Duke u ndalur te çështjet e sigurisë, Kryeministri u shpreh se “nëse e shikojmë se nga vijmë situata nuk ka të krahasuar”.

“Patjetër që ne dhe të gjithë nuk mundet përveçse të shokohemi dhe shqetësohemi thellë kur ndodh një masakër si ajo në Selenicë dhe patjetër që çdo vrasje është një lajm i keq që sjell vërtetë shqetësim. Por, nëse e shikojmë se nga vijmë nuk ka të krahasuar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është bërë e panevojshme të bëjmë krahasime me çfarë ishim, pasi sfida jonë është me ku duhet të shkojmë”.

Në këtë aspekt kemi ende për të bërë, tha Kryeministri, duke shtuar se “ka ende elementë për të përmirësuar në raport me pastërtinë dhe sigurinë”.

“Kemi elementë që duhen përmirësuar nga kontrolli në rrugë, kontrolli i dixhitalizuar, gjobat e policisë që nuk duhet të jenë më me blloqe ‘bakalli’, por të dixhitalizuara dhe deri tek kontrolli i imët në territor për të bërë edhe më shumë parandalim”, tha Rama.

Policia, sipas tij, ka një fuqi gjithmonë e më të rritur parandaluese, por aktet që parandalohen nuk përbëjnë lajm.