Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) Krislen Keri, ka marrë pjesë në takimin e 36-të të ECAC, që zhvillohet 1 herë në 3 vjet.
Në mbledhjen ku morën pjesë drejtorët e Autoriteteve të Aviacionit Civil pjesë e ECAC, u diskutua për sfidat e aviacionit që lidhen me rritjen e kërkesës për menaxhim më të mirë të trafikut, siguria, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore e teknike, emetimi i gazrave dhe siguria kibernetike.
Drejtori i AAC-së Krislen Keri, gjatë kësaj mbledhje u takua me homologun e tij italian Alessio Quaranta, me të cilin diskutoi për problemet që po shkaktojnë kompanitë italiane me të drejtat e pasagjerëve, me vonesa apo anullime tej normave europiane.
Keri, tha se pala shqiptare kërkon masa nga pala italiane, që këto kompani të penalizohen sipas rregulloreve europiane nga autoritetet italiane, që janë edhe licencuesit e tyre. Gjithashtu ai nënvizoi se për këto problematika ka venë në dijeni edhe Komisionin Europian.