“Si ka mundësi që fëmijët tanë theren me njëri-tjetrin si kafshë?”

Nga Ergys Mertiri

Lajmi i vrasjes së një fëmije 15-vjeçar në derën e shkollës është një tmerr që do të duhet të alarmojë çdokënd. Nuk është hera e parë që adoleshentët vriten apo plagosen me thika e armë zjarri nëpër shkolla për motive banale. Dhe natyrisht, nuk është surprizues as fakti që shoqëria as që e çan menderen për këtë.

Zgjidhjet që ofron shteti, kanë qenë vetëm ato të natyrës policore, duke shtuar kontrollet apo patrullimet pranë shkollave, sa për të larë gojën. Por kjo nuk është absolutisht një zgjidhje. Pyetja që duhet të godasë të gjithë është: Çfarë po ndodh me fëmijët tanë? Si ka mundësi që ata theren me njëri-tjetrin si kafshë në institucionet tona të edukimit, në një kohë kur të gjithë konstatojme një krizë dramatike të edukimit dhe kulturës së të rinjve?

Ngjarje si këto janë vetëm shpërthime të një situate katastrofike që tregon kulturën tonë shtazore, të përhapur tek një masë e madhe të rinjsh, por edhe të rriturisht, modelet tona idiote që ua përcjellim fëmijëve dhe të rinjve, si dhe dështimin e të gjithë institucioneve të edukimit e komunikimit, duke filluar që nga familja e deri tek shkolla, mediat, mjedisi social etj.

Kultura jonë e kohëve moderne është një kulturë budallaqe që glorifikon forcën, pushtetin, dhunën duke i promovuar këto si vlera. Kemi këngë e klipe sot që estetizojnë modelin e gangsterit me ngjyra romantike. Kemi mediat që fortifikojnë çdo ditë stereotipet e të fortit, duke prodhuar personazhe qeniesh debile, që nuk bëjnë asgjë përveç se pozojnë shkëlqimin e rremë të vanitetit dhe boshllëkut të tyre kulturor, nëpër kronikat rozë e gossip.

Shqiptarët, sidomos të rinjtë, adhurojnë sot forcën, paranë dhe seksin, si burime kryesore motivimi. Ndershmëria, virtyti, drejtësia, butësia, edukata, kanë humbur vlerën në sytë e shumë njerëzve. Të jesh i fortë, i pushtetshëm, i suksesshëm është një burim i madh krenarie, paçka se mund të jesh hajdut, mashtrues apo kriminel. Ne jemi një shoqëri që, jo vetëm nuk e urren krimin dhe padrejtësinë, por i nderon kriminelët. Ne ende kemi respekt për një fëlliqësirë vrasës si Enver Hoxha, ndërsa iu japim votën banditëve që kandidojnë, pa pikë turpi, për deputetë.

Në një vend ku vlerat janë përmbysur, shumë prej të rinjve gjejnë përmbushje tek modelet kulturore më ordinere. Kaq të përhapura janë këto modele sa, subkulturat dhe kundërkulturat që ato prodhojnë kanë filluar dhe po bëhen pak e nga pak maxhorancë. Përkundrazi, modelet e njerëzve normalë, të drejtë, të ndershëm, të aftë, ata që duan të jetojnë me djersë e dinjitet, po kthehen në minorancë duke u shndërruar gradualisht në subkulturë. Të jesh i ndershëm, i virtytshëm, i edukuar, po shndërrohet dhe është shndërruar tashmë tek shumë të rinj, por edhe kudo në shoqëri, në një plan më subversiv, në objekt bullizmi.

Deri në majë të institucioneve shtetërore, deri tek vetë Kryeministri ofrohen pikërisht këto modele. I shohim vazhdimisht ekraneve politikanë që flasin e sillen si garipë, që e portretizojnë veten në figurën e të fortit, gangsterit, që nuk pyet për asgjë. Ky model po instalohet si burim i vlerave të kësaj shoqërie.

Kjo do të thotë se shoqëria po shkon drejt degradimit. Kur horri, halabaku, banditi shihet me simpati, ky vend po shndërrohet në një kënetë ku vegjetojnë e mbretërojnë vetëm bastardët. Ky vend tregon se po zhvillon anët e veta më të këqija duke zhbërë çdo normë e çdo vlerë që ka trashëguar deri më sot.

E keqja është se askush nuk duket të shqetësohet seriozisht. Ndërsa shohim pa fund reagime shoqatash që lobojnë për axhenda transformimesh kulturore në çështje që janë vërtetë luks, nuk shohim asnjë prej tyre të reagojë ndaj një kërcënimi kaq serioz sa ky shpërfytyrim kaq dramatik. Nuk shohim askënd të shqetësohet se çfarë po rrisim e edukojmë dhe cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve tanë, nëse nuk emigrojmë të gjithë nga ky vend!