Shtyhet për herë të tretë gjyqi ndaj Tahirit

Ish-Ministri: Kjo është qesharake

Gjyqi ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u shty sërish, për të tretën herë radhazi. Shkak u bë mungesa e tre akteve të dosjes me dëshmi të Habilajve ndaj ish-Ministrit.

Në dalje nga Gjykata për Krimet e Rënda, vetë Tahiri e konsideroi këtë qesharake, duke marrë parasysh sipas tij, faktin se me këto letra, organi i akuzës kishte kërkuar arrestimin e tij në parlament.

Ky proces është shtyrë për të tretën herë. Herën e parë siç e patë ju letrat që kishte sjellë posta ishin të grisura. Hera e dytë se policia nuk kishte bërë njoftimet dhe hera e tretë se prokuroria ka humbur ca letra. Unë nuk e di, por edhe një çerdhe kalamajsh është më e organizuar se kaq. Nuk di si mund të ndodhë që të humbasin letra në prokurori kur ka protokoll, kur ka një sistem, kur dihet kush i ka dërguar, kush i ka marrë. Unë nuk e di si mund të vazhdohet kështu dhe çfarë lloj serioziteti është ky, kur praktikisht me këto letra prokuroria kërkoi në parlament arrestimin tim. Sot s’i paska, sot kanë humbur! Sot vjen në gjykatë dhe thotë kanë humbur. Kjo është qesharake. Unë e thashë dhe në seancë, ato për fat të keq janë prova në favorin tim, por nuk ka problem unë heq dorë, se po bëhet tërkuz kjo histori. Unë heq dorë, po heq dorë nga disa dëshmi që janë në favorin tim. S’ka problem unë heq dorë edhe nga këto, unë jam shumë i bindur për të vërtetën time, mjafton të mos shtyhet”.

Seanca e radhës ndaj Tahirit u vendos për në datën 22 Korrik. Ish-Ministri ka kërkuar gjykim të shkurtuar në këtë proces, vendim i cili ende nuk është marrë për shkak të shtyrjes së tre seancave të para. Ai akuzohet nga Prokuroria për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprimeve në kuadër të këtij grupi.