Shqiptarët, populli më pro-amerikan në NATO/ GALLUP: 82% e shqiptarëve aprovojnë lidershipin amerikan, nga 56% që ishin vjet

Shqipëria dhe shqiptarët janë vendi dhe populli më pro-amerikan mes shteteve anëtare të NATO-s, tregon një anketë e publikuar së fundmi nga Gallup. Anketa është kryer mbi 1 mijë individë në Shqipëri dhe të dhënat janë mbledhur deri në shkurt të këtij viti, pra para ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Anketa tregon se 82%…

Shqipëria dhe shqiptarët janë vendi dhe populli më pro-amerikan mes shteteve anëtare të NATO-s, tregon një anketë e publikuar së fundmi nga Gallup. Anketa është kryer mbi 1 mijë individë në Shqipëri dhe të dhënat janë mbledhur deri në shkurt të këtij viti, pra para ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Anketa tregon se 82% e shqiptarëve janë dakord me lidershipin amerikan.

Kjo normë është më e larta mes vendeve anëtare të NATO-s, madje me diferencë të ndjeshme me shtetet e tjera. Në vend të dytë ndjek Portugalia, me një normë aprovimi prej 64%, dhe më pas Holanda me rreth 63%. Rreth 12% e shqiptarëve nuk e aprovojnë lidershipin amerikan, dhe kjo gjithashtu është norma më e ulët ndër vendet anëtare të NATO-s. Rreth 6% e të anketurave ndërkohë shprehen se nuk kanë një përgjigje mbi këtë pyetje.

Ajo që bie tjetër në sy nga anketa e Gallup mbi këtë çështje është edhe fakti se krahasuar me anketën e kaluar, norma e shqiptarëve që janë pro lidershipit amerikan është rritur me 26 pikë përqindje në harkun e një viti. Pra, në anketën e vitit të kaluar, vetëm 56% e shqiptarëve ishin pro lidershipit amerikan, ndërkohë që tashmë kjo normë është ngjitur pranë 82%.

Kjo rritje e ndjeshme e mbështetjes së shqiptarëve ndaj politikës amerikane duket se është rrjedhojë e kalimit të pushtetit nga Donald Trump drejt Joe Biden. Për shumë vende anëtare të NATO-s, nivelet e mbështetjes ndaj lidershipit amerikan janë rritur ndjeshëm në anketën e fundit, duke arritur, madje edhe tejkaluar nivelet e regjistruara gjatë administratës Obama.

Kroacia, Turqia dhe Lituania janë tre vendet e fundit në renditje, me një normë aprovimi ndaj lidershipit amerikan prej 24% deri në 22%. Gjithashtu shohim se për vende si Italia norma e aprovimit fiksohet në 41%, ndërsa për Francën në vetëm 36%.