Shqiptarët do të deklarojnë 2.9 milionë llogari bankare deri në fund të korrikut

Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë.

Të gjithë shqiptarët, me një llogari bankare, po thirren nga bankat për të deklaruar vendbanimin dhe numrin tatimor që njëkohësisht shërben si deklaratë pëlqimi, që këto të dhëna do të përdoren nga palët e treta, si informacion për korrektësinë e tyre në pagesën e detyrimeve tatimore.

Ky proces vetëdeklarimi është një detyrim që rrjedh nga Ligji për Shkëmbimin Automatik të Informacionit mes vendeve europiane, i cili në Shqipëri hyri në fuqi në janar të këtij viti. Ligji synon të bëjë llogaritë bankare të hapura për institucionet tatimore dhe të luftojë problemin e evazionit fiskal në llogaritë offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit.

Nga pikëpamja e ligjit detyrohen të plotësojnë formularin shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri, por duke qenë se ka shumë shtetas shqiptarë që kanë më shumë se një rezidencë tatimore, bankat në Shqipëri, kanë vendosur që të thërrasin për plotësimin e formularit të gjithë klientët me llogari.

Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë. Mbajtësit e këtyre llogarive do të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, me të dhënat personale si emri, vendbanimi dhe numri tatimor.