Shqipëria synon të forcojë ligjin për masat ndaj dhunës në familje

Manastirliu tha se ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare do të parashikojë urdhrin paraprak të menjëhershëm të mbrojtjes për viktimat e dhunës

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, prezantoi në Komisionin për Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, ndryshimet në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prezantimin e saj, Manastirliu tha se ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare do të parashikojë urdhrin paraprak të menjëhershëm të mbrojtjes për viktimat e dhunës, duke garantuar mbrojtje për gratë që përballen me dhunën në familje.

“Vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti janë evidentuar 1780 raste dhune dhe krime të tjera në familje. Për të përafruar legjislacionin shqiptar me standardet më të mira ndërkombëtare por mbi të gjitha, në përgjigje të rasteve të shtuara të denoncimit të dhunës në familje, në disa raste me pasoja tragjike, propozojmë ndryshime thelbësore në ligjin ‘Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare’, për të garantuar mbrojtjen e strukturës së familjes nga dhuna”, tha Manastirliu gjatë prezantimit të ndryshimeve ligjore.

Sipas saj, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale plotësojnë boshllëqet që kishte ligji i mëparshëm për masat emergjente të mbrojtjes.

“24 orët e para pas denoncimit të dhunës janë shpesh vendimtare për gratë që përballen me dhunën në familje, ndaj ne propozojmë aktivizimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes nga policia e shtetit, deri në konfirmimin e tij nga gjykata”, tha ministrja Manastirliu.

Duke folur për risitë e ndryshimeve ligjore, Manastirliu tha: “Është zgjerimi i mbrojtjes përtej marrëdhënies juridike burrë-grua, duke parashikuar masa të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që bashkëjetojnë apo janë në lidhje afektive.”

Ndryshimet në ligjin ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare parashikojë afate të qarta proceduriale, duke filluar që nga regjistrimi i kërkesës e deri te ankimet për vendimet gjyqësore, me qëllim që urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes të dalin pa asnjë vonesë dhe të sigurojnë viktimën nga rreziku.

Ndryshimet ligjore synojnë parandalimin dhe reduktimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, sipas autoriteteve, për të garantuar mbrojtje të veçantë dhe pa diskriminim të çdo grupi që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje.