Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili u mbajt në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, u bëri një ftesë të veçantë drejtuesve të NATO-s dhe vendeve anëtare.
Ministrja propozoi që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë.
“…Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë…”, u shpreh Xhaçka.
Këtë propozim ministrja Xhaçka e bëri gjatë darkës zyrtare në prani të sekretarit amerikan Mattis, sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.
Ministrja Xhaçka nënvizoi angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e buxhetit dedikuar mbrojtjes, duke përsëritur angazhimin për të përcaktuar 2% të GDP për mbrojtjen deri në vitin 2024 si dhe siguroi vendet anëtare se Shqipëria do të vijojë angazhimin në misionet paqeruajtëse përkrah aleatëve të saj.
“…Deri në viti 2024, buxheti për mbrojtjen do të jetë 2% e GDP…”, – tha Xhaçka, ndërsa bëri të ditur dhe çertifikimin e pak ditëve më parë të 1 mijë efektivëve të këmbësorisë nën monitorimin e ekspertëve më të mirë të NATO.
Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit./TRt