Shqipëria do të dërgojë 17079 tekste drejt 21 shteteve të ndryshme të botës

Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë/ Mbi 17 mijë tekste shkollore në 21 vende të ndryshme, përfshihet edhe Turqia...

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, çdo vit të ri shkollor siguron mbështetje me tekste mësimore për fëmijët e diasporës shqiptare.

Për vitin shkollor 2020-2021, do të dërgohen 17 079 tekste drejt 21 shteteve të ndryshme të botës.

Konkretisht, këto ditë u nisën tekstet drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Çekisë, ndërsa para pak ditëve janë nisur tekstet drejt Turqisë, Belgjikës, Spanjës, Rumanisë dhe Francës për të vijuar më tej me shtetet e tjera.

“Ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sonë është ky moment i vitit! Duke u uruar të gjithë fëmijëve shqiptarë në diasporë, një vit të mbarë shkollor, dëshirojmë t’ju jemi pranë në mësimin e gjuhës amë, me shpresën që të kontribuojë në rritjen e dashurisë për atdheun”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së.

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini në vijim të publikimit të disa prej punëve të realizuara deri më tani përgjatë vitit 2020-të ka përmendur edhe mbështetjen me libra shkollorë shqip në Serbi të fëmijëve të shqiptarëve.

“Në vazhdën e punëve të mira gjatë 2020-ës është edhe ndihma konkrete ndaj shqiptarëve në Serbi duke i mbështetur me libra shkollorë shqip për arsimin parauniversitar”, nënvizon ministrja Shahini.

Ndër të tjera, ajo cilëson gjithashtu se jemi “shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe”.

Shqiptarëve në Serbi do t’iu lejohet tashmë përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, një punë konkrete e realizuar pas një vale të gjatë bashkërendimi mes MASR dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Më herët, vetë ministrja ka deklaruar se pas shumë vitesh përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi do u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. “Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, është shprehur më herët ministrja Shahini.