Shkëmbimet e ndërsjella për të zhvilluar sektorin e shëndetësisë, me reformat e ndërmarra në të dy shtetet, ishin në qendër të bisedimeve të zhvilluara në Tiranë, ndërmjet ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu dhe ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet se Manastirliu është takuar me homologun e saj të Kosovës, të cilët kanë biseduar për disa çështje.
Mes dy vendeve është arritur dakordimi për bashkëpunimin dhe shkëmbimet e ndërsjella sipas përvojave më të mira të secilit shtet, mes të cilave edhe shkëmbimi i ndërsjellë i mjekëve sipas nevojave.
“Kjo është një mundësi e mirë për të ndarë eksperiencat dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në reformimin e sistemit shëndetësor si këtu në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, u shpreh ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë gjatë takimit me homologun e Kosovës dhe delegacionin që e shoqëronte. Duke u ndalur në reformat e nisura nga Qeveria e Shqipërisë, Manastirliu i ofroi mbështetjen pa rezerva Qeverisë së Kosovës, në ndërtimin e institucioneve shëndetësore dhe në reformat e nisura për të kthyer besimin e qytetarëve tek sistemi shëndetësor”, theksohet në njoftim.
Ndërsa ministri Ismaili ka theksuar se kjo vizitë ishte një fillim i mirë i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikave.
Gjatë vizitës në Shqipëri, delegacioni nga Kosova, zhvilloi disa takime në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.