Shqipëri, studentët protestë kundër mësimit online

Studentët theksojnë se në mësimin online nuk arrijnë të marrin njohuritë e nevojshme, duke kërkuar të paktën që seminaret të zhvillohen në auditor

Dita e parë e vitit të ri akademik në Shqipëri nga një pjesë e studentëve është pritur me protesta në Tiranë, të cilët kundërshtojnë procesin mësimor online, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra studentë kanë protestuar në Tiranë para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke kundërshtuar vazhdimin e procesit mësimor vetëm online dhe duke kërkuar rikthimin në auditor.

Studentët me pankarta në duar me mbishkrimet “Refuzojmë mësimin online” dhe “Injoranca vret më shumë se COVID”, kanë kërkuar që të shikohen mundësitë e alternimit të mënyrës së mësimdhënies dhe që jo i gjithë procesi të zhvillohet online.Shqipëri, studentët protestë kundër mësimit online

Studentët të mbështetur edhe nga disa pedagogë shprehen se jo të gjithë kanë mundësi të sigurojnë pajisje teknologjike për zhvillimin e procesit mësimor online dhe prandaj kërkojnë rikthimin në auditor.

Gjithashtu studentët theksojnë se në mësimin online nuk arrijnë të marrin njohuritë e nevojshme, duke kërkuar të paktën që seminaret të zhvillohen në auditor.

Policia iu ka bërë thirrje studentëve protestues që të shpërndahen, për shkak të ndalimit të tubimeve në kuadër të masave kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe protesta është shoqëruar edhe me tensione.

Ministrja Kushi: “Vendimi është i imponuar nga dinamika e pandemisë”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Evis Kushi, në një ceremoni në Tiranë për hapjen e Fakultetit të Shkencave Ushtarake tha se vendimi i Komitetit të Ekspertëve që mësimi të zhvillohet në distancë, nuk është aspak i lehtë, por sipas saj “është i imponuar nga dinamika e pandemisë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e koronavirusit.”

“Prandaj si ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, gjej rastin sërish të apeloj për më shumë durim e fleksibilitet nga ana e çdo studenti e pedagogu. Është shumë e rëndësishme të menaxhojmë situatën aktuale në të cilën gjendemi, duke ndjekur edhe metodat specifike të secilit universitet, për të cilat jam informuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për një nisje dhe vazhdimësi të mbarë të këtij viti akademik”, është shprehur Kushi.

Viti i ri akademik 2020-2021 filloi sot në të gjitha universitetet e vendit, por për shkak të pandemisë COVID-19 procesi mësimor do të zhvillohet online. Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve të Shqipërisë, mësimi të paktën 1 muaj do të mbahet pa prezencë fizike të studentëve, dhe më pas do të merren vendime të tjera në varësi të situatës epidemiologjike në vend.