Shqipëri, mbahet aktiviteti me temë “Gratë në trashëgiminë kulturore”

Tryeza e diskutimit e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, kishte në fokus diskutimet mbi kontributin e grave në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri

Aktiviteti me temë “Gratë në trashëgiminë kulturore”, i organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve kulturore në Shqipëri, raporton Anadou Agency (AA).

Tryeza e diskutimit e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, kishte në fokus diskutimet mbi kontributin e grave në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe angazhimin e tyre edhe në institucionet kulturore.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë fjalës në aktivitet theksoi ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis gruas dhe trashëgimisë kulturore.

“Gruan e gjejmë kudo, e gjejmë në skulpturat ilire, e gjejmë në plot shprehje stilistike dhe artistike të arteve pamore, e gjejmë në mozaikë, në xhubletë e gjejmë në plot elementë të trashëgimisë kulturore. Edhe gruaja në vetvete është trashëgimi, është ajo që përcjell trashëgiminë. E gjejmë na balada, e gjejmë në legjenda e gjejmë në plot rrëfime”, u shpreh Margariti.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, theksoi se 8 Marsi është një ditë që shkon përtej angazhimeve të zakonshme ditore, mujore dhe vjetore në jetën e përditshme.

“Sot sfida e trashëgimisë kulturore, por edhe sfida e barazisë gjinore janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Janë dy sfida të rëndësishme të shekullit të cilat në fakt nuk është se Shqipërinë e kanë gjetur të papërgatitur”, u shpreh Koçi.

Gjatë kësaj jave institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri organizojnë aktivitete të ndryshme në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, që kanë si fokus çështjet për mbrojtjen e të drejtave të grave, mbështetjen e tyre në jetën politike dhe sektorë të tjerë.