Shpërdorim detyre e korrupsion, SPAK çon në gjyq 5 persona, mes tyre dy policë

Prokuroria e Posaçme ka çuar për gjykim 5 persona të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe për korrupsion.

Në njoftim bëhet me dije se janë dërguar në gjyq:

Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal;

Lulzim Hasa(me detyrë shef i Klubit Sportiv të Bashkisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal;

Sefer Shuka(me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës ”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Lirian Taragjini, ( i vetëpunësuar ), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25  i Kodit Penal;

Zenel Taragjini, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 319 e 25  i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25  i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal ka rezultuar se të pandehurit Lirian Taragjini dhe Zenel Taragjini, në bashkëpunim me njeri tjetrin, kane arritur të japin përfitim të parregullt si dhe të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek i pandehuri Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh) dhe tek i pandehuri Lulzim Hasa (me detyrë Punonjës i Bashkisë Gramsh) duke i dhënë shumat 50.000 dhe 150.000 lekë të reja (si dhe përfitime të tjera), për të realizuar nxjerrjen e automjetit  të sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Kurse i pandehuri Sefer Shuka në funksionin e Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore Elbasan ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal pasi nuk ka marrë kallëzimin si dhe nuk ka referuar faktin penal të denoncuar nga shtetasi Lirian Taragjini.