Shpaloset programi për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip

Aktivitetet do të fillojnë nesër me prezantimin e notave të alfabetit të gjuhës shqipe, të zbuluara kohë më parë nga David Hoselflog

 Kongresi i Alfabetit në Manastir 110 vjet më parë ka rëndësi edhe në kontekstin bashkëkohor politik, pasi shqiptarët e këtij rajoni janë para momenteve të rëndësishme për të siguruar orientimin e tyre perëndimor, deklaroi zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me rastin e shpalosjes së aktiviteteve të cilat do ta shoqërojnë shënimin e kësaj date në Maqedoni, raporton Anadoliu Agency (AA).

Siç bëri të ditur Osmani, 110 vjetori nga unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, sivjet do të shënohet me moton, “Për ne, dielli lind në perëndim”, mendim i parafrazuar i Naim Frashërit, që flet për përcaktimin thelbësor të shqiptarëve drejt vlerave të civilizimit perëndimor, për të shtuar se kjo korrespodon edhe me përcaktimin e sotëm të vendit drejt ardhmërisë evropiane dhe atlantike.

Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, tha Osmani, e obliguan Sekretariatin për Çështje Evropiane t’i organizojë ngjarjet që kanë të bëjnë me shënimin e këtij jubileu.

“Për ditën e Alfabetit shqip, 110 vjetori nga Kongresi i Manastirit, kemi organizuar më shumë ngjarje në Shkup dhe në Manastir të cilat do të kurorëzohen me koncertin e gjigantit të violinës Shkëlzen Doli me Filarmoninë e Maqedonisë dhe dirixhimin e Mihail Micijashçik nga Polonia që do të mbahet të enjten në Shkup”, tha Osmani, sipas të cilit do të mbahen edhe ngjarje në Shkup dhe Manastir, konferenca dhe debate shkencore si dhe promovime librash.

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Skender Asani, nga ana e tij tha se ndjehet i lumtur për përfshirjen e tij në këtë shënim, pasi siç tha, 22 Nëntori është e dita e themelit të këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni, ndërsa për vet përmbajtjen, tha se kanë bërë përpjekje të përfshijë personalitete nga të gjitha institucionet shtetërore dhe akademike mbarëshqiptare.

“Aktivitetet do të fillojnë nesër në Institut me ligjeratë të David Hoselflog, i cili ka zbuluar notat e alfabetit të gjuhës shqipe që do të jetë një prurje e jashtëzakonshme, një lajm i rëndësishëm për të gjithë shqipatrët, meqë pas 110 vitesh, po zbulohen notat e alfabetit”, tha Asani.

I pranishëm në konferencën për mediat ishte edhe violinisti Shkëlzen Doli, i cili premtoi një performancë e cila do të kënaqë publikun, sepse siç tha, do të ekzekutohen kompozime të autorëve më të famshëm botërorë.

Lidhur me shënimin e Ditës së Alfabetit, është vendosur në funksion ueb faqja www.110vjetalfabet.mk ku do të vendosen të gjitha faktet historike për unifikimin e alfabetit por edhe përmbajtje tjera nga letërsia shqipe.