Shoqata nga Turqia shtron iftare në Mesxhid al-Aksa

Iftaret e Shoqatës Sadakataşı do të jenë të shtruara gjatë muajit të Ramazanit në oborrin e Mesxhid al-Aksa, ndërsa rreth një mijë palestinezë do të mund të shërbehen çdo ditë

Shoqata Sadakataşı nga Turqia ka shtruar iftar për palestinezët në kompleksin e shenjtë Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Iftaret e Shoqatës Sadakataşı do të jenë të shtruara gjatë muajit të Ramazanit në oborrin e Mesxhid al-Aksa, ndërsa rreth një mijë palestinezë do të mund të shërbehen çdo ditë, tha për AA Hacı Altun, anëtar i bordit drejtues të shoqatës, duke shtuar se kjo shifër do të përmbyllet me gjithsej 35 mijë persona gjatë tërë muajit.

Altun theksoi se krahas iftareve, nevojtarëve nga Kudsi do t’u ndahen paketa ushqimore.

Ai njoftoi se jetimëve në këtë qytet do t’u ndahen rroba me rastin e Bajramit, ndërsa shtoi se aktivitetet e shoqatës në këtë qytet do të vazhdojnë tutje.