Shkurt 2019, çmimet e konsumit 0.6% më lirë se në janar

INSTAT: Ulen çmimet e frutave, rriten të perimeve.

Në muajin shkurt 2019, indeksi i çmimeve të konsumit u ul duke shënuar nivelin 1,7%, kundrejt nivelit 1,9% që ishte në muajin janar 2019.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit i publikuar sot nga INSTAT tregon se ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shkurt 2019, krahasuar me Janar 2019, është ulur me 0,6 %. Zgjerimi i konsumit shoqëruar me rënie të çmimeve në vend, ka bërë që në muajin shkurt inflacioni të shënojë ulje por brenda pritshmërive të Bankës së Shqipërisë.

Sipas INSTAT rënia u favorizua nga ‘zbutja’ e inflacionit për grupin e ushqimeve. Çmimet e këtij grupi u rritën me 3,8% në shkurt, ndërsa në janar rritja ishte 4,3%. Brenda grupit të ushqimeve, shtrenjtimin më të lartë edhe për shkurtin e regjistroi grupi i perimeve, me 26,4%. Ndërkohë, tendencë të kundërt shfaqën frutat, ku çmimet u ulën  5% krahasuar me një vit më parë, shrkuan ATSH.

INSTAT bën të ditur se, ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit e kanë dhënë grupet:  “Ushqime dhe pije  joalkoolike” me 1,37% “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,18%. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me 0,05% secili. Ndërsa çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me  0,04%.

Gjithashtu pozitivisht kanë ndikuar edhe çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me 0,02% kurse kurse çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Mallra dhe shërbime të  ndryshme” kanë kontribuar me 0,01% secili.

Ndikim me rënie kanë dhënë çmimet e grupit “Shëndeti” me 0,02%. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” kanë kontribuar me  0,01% secili.