Shkup, ambasada turke dhe TIKA shpërblehen për restaurimin e objekteve kulturore

Ayden tha se nga viti 2005, agjencia TIKA në Maqedoninë e Veriut ka realizuar rreth 1.000 projekte dhe se është shfrytëzuar një buxhet prej më shumë se 100 milionë dollarësh

Me rastin e shënimit të 70-vjetorit të themelimit të Drejtorisë së parë kombëtare për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në Maqedoninë e Veriut, Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) janë shpërblyer me plaketë për kontributin e dhënë në restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapësirat e galerisë “Çifte Hamam” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u mbajt manifestimi për shënimin e 70-vjetorit të themelimit të Drejtorisë së parë kombëtare për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, në të cilën fjalim kishte edhe ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili si dhe koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden.

Në fjalimin e tij pasi pranoi pllakonë, Ayden tha se nga viti 2005, agjencia TIKA në Maqedoninë e Veriut ka realizuar rreth 1.000 projekte dhe se është shfrytëzuar një buxhet prej më shumë se 100 milionë dollarësh.

“Ne si Republikë e Turqisë do të vazhdojmë me projektet restauruese në mënyrë që trashëgimia kulturore në Maqedoninë e Veriut të bartet në gjeneratat e ardhshme, që të mbrohen vlerat në këtë vend dhe që trashëgimia kulturore sërish të dalë në shesh me gjithë shkëlqimin e saj. Në të njëjtën kohë këto trashëgimi kulturore do të japin kontribut serioz në të hyrat nga turizmi”, theksoi Aytekin Ayden.

Ai gjithashtu tha se janë realizuar projekte në sfera të shumta, siç është shëndetësia, respektivisht ulja e vdekshmërisë së foshnjave të sapolindura, në sferën e kulturës, arsimit, zhvillimit ekonomik, veçanërisht në mjediset rurale.

Ayden rikujtoi se me përfundimit e këtij viti janë përfunduar punimet për restaurimin e tre xhamive në Shkup, xhamitë Husein Shah, Allaxha dhe Sulltan Murat.

Ministri Ismaili tha se Drejtorija kombëtare për mbrojtjen e monumenteve të kulturës është një institucion i rëndësishëm, pasi është përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë së patundshme kulturore për 36 komuna në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë viteve të kaluara ky institucion ka arritur shumë gjëra. Ndoshta disa nga aktivitetet nuk janë të dukshme, por ato janë të rëndësishme për vijueshmërinë e mbrojtjes, parandalimin e menjëhershëm, valorizimin dhe rivlerësimin e trashëgimisë së patundshme kulturore”, tha Ismaili.

Kujtojmë se plaketa për kontribut të rëndësishëm në restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore fituan edhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e SHBA-ve në Shkup.