Shkon në 4 numri i viktimave në Shqipëri nga COVID-19/ Humb jetën 43-vjeçari nga Kavaja, shkak obeziteti. Zgjerohet harta, të infektuar edhe në Vlorë

Shqipëria ‘zgjohet’ duke shënuar viktimën e 4-t të koronavirusit. Në spitalin Infektiv ka humbur jetën një 43-vjeçar nga Kavaja, i cili ndodhej në terapi intesive. Ndërsa dje ndërroi jetë një 71-vjeçar. Ministrja Manastirliu u shpreh se mjekët bënë ç’mundën për t’i shpëtuar. Ndërkohë që harta e të infektuarve vetëm përhapet. Shënohen të prekurit e parë edhe në Vlorë.

Shkon në 4 numri i viktimave nga pandemia COVID-19 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi mëngjesin e sotëm se në spitalin Infektiv ka humbur jetën një 43-vjeçar nga Kavaja, i cili ndodhej në terapi intesive. Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është komplikuar për shkak të obezitetit pasi i riu nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër.

Mbrëmjen e djeshme humbi jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi”, një tjetër i infektuar. 71-vjeçari përveç koronavirusit, vuante edhe nga sëmundje të tjera, ndër to edhe tumori.

Lidhur me dy rastet e vdekjes ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila shprehu ngushëllimet e saj për familjarët duke shkruar se mjekët bënë më të mirën që mundeshin por nuk ia dolën që t’i shpëtonin. Ndërkohë ministrja ka shfrytëzuar rastin për t’u bërë apel edhe qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.

Ndërkohë pak ditë më parë humbën jetën dy të moshuar, një tek Senatoriumi në Tiranë dhe një e moshuar në spitalin e Durrësit. Të dy ishin në gjendje të rëndë dhe vuanin nga sëmundje të tjera.

Ndërkohë koronavirusi po përhapet në të gjithë Shqipërinë dhe deri më tani Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 89 të infektuar. Por, burime për Dosja.al bëjnë me dije se edhe 4 anëtarë të një familje në Vlorë janë të infektuar me COVID-19. Ata ndodhen në spitalin Infektiv në Tiranë dhe dyshohet se janë infektuar nga djali i tyre, i cili kishte ardhur pak ditë më parë nga Bergamo e Italisë.