SHBA, rruga ku ndodhet ambasada saudite do të emërohet “Jamal Khashoggi”

Rruga në të cilën ndodhet Ambasada e Arabisë Saudite në Washington të SHBA-ve do të emërohet me emrin e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi

 Në votimin e zhvilluar në Komisionin Këshillimor të Lagjes është miratuar që rruga në të cilën ndodhet Ambasada e Arabisë Saudite në Washington të SHBA-ve të emërohet me emrin e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave amerikane, Komisioni Këshillimor i Lagjes, pranoi që një pjesë e Bulevardit New Hampshire ku ndodhet edhe ambasada saudite të emërohet “Jamal Khashoggi”.

Komisioni bën të ditur se ky ndryshim është bërë që çdo ditë të rikujtohet se vrasja e Khashoggit është e papranueshme.

Që të zyrtarizohet ky ndryshim duhet të miratohet nga Këshilli i Washington DC.

Kujtojmë se gazetari saudit Khashoggi u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas disa javësh mohime për përfshirje në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës.