SHBA njofton tërheqjen nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Pasi është shprehur se këshilli ka një paragjykim kundër Izraelit, Haley ka theksuar se shkelje të të drejtave të njeriut ka edhe në vendet e tilla si Kina, Kuba dhe Venezuela, të cilat janë në Këshill

 Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara (OKB), Nikki Haley, ka njoftuar se vendi i saj është tërhequr nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ajo tha se “ky këshill nuk është i denjë për emrin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Haley dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, tërheqjen e SHBA-ve nga këshilli e njoftuan në një konferencë të përbashkët për media në departamentin amerikan.

Duke rikujtuar se presidenti amerikan, Donald Trump, një vit më parë ka bërë të ditur se SHBA-të do të tërhiqen nga këshilli nëse nuk kryhet reformë brenda Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Haley ka vlerësuar se gjatë kësaj kohe në këshill nuk është bërë ndonjë ndryshim.

Po ashtu pasi është shprehur se këshilli ka një paragjykim kundër Izraelit, Haley ka theksuar se shkelje të të drejtave të njeriut ka edhe në vendet e tilla si Kina, Kuba dhe Venezuela, të cilat janë në Këshill.

“Këshilli ka një paragjykim kronik për Izraelin”, tha Haley.

Më tej, duke vlerësëruar se “ky këshill nuk është i denjë për emrin”, ajo  vuri në dukje se SHBA-të mund të bashkohen sërish pas reformave që këshilli do të bëjë brenda strukturës së tij.

Ndërsa Pompeo, nga ana e tij ka pretenduar se këshilli është “i pamjaftueshëm” në pikën e mbrojtjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Këshilli ka favorizuar vendet në shkeljet e të drejtave të njeriut”, ka theksuar Pompeo duke mbrojtur idenë e tij se kritikat e bëra ndaj Izraelit nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut janë “hipokrizi”.

Edhe Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarriç, gjithashtu në një deklaratë me shkrim, pas njoftimit të tërheqjes së SHBA-ve nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka vlerësuar se: “Sekretari i Përgjithshëm preferonte që SHBA-të të mbeten në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Arkitektura e të drejtave të njeriut e OKB-së po luan një rol shumë të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut anembanë botës”.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut pritet të mblidhet më 2 korrik për të diskutuar çështjen palestinezo-izraelite.