SHBA miraton një buxhet prej 716 miliardë dollarë për mbrojtjen

Senati i SHBA-ve ka miratuar një buxhet prej 716 miliardë dollarësh që përmbush dëshirën e presidentit amerikan, për të forcuar ushtrinë amerikane

 Senati i SHBA-ve me shumicë dërrmuese ka miratuar buxhetin prej 716 miliardë dollarësh që përmbush dëshirën e presidentit amerikan, Donald Trump, për të forcuar ushtrinë amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

Votimi 85 me 10 për Aktin vjetor të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) do t’i japë Pentagonit një buxhet prej 617.6 miliardë dollarë, si dhe shtesë 68.5 miliardë dollarë për operacione të mundshme jashtë shtetit, 21.6 miliardë dollarë për programet e lidhura me mbrojtjen që kanë të bëjnë me Departamentin e Energjisë dhe 8.2 miliardë dollarë në shpenzime të tjera të mbrojtjes.

Duke miratuar këtë projekt-ligj të mbrojtjes, senatorët miratuan gjithashtu një dispozitë për të rivendosur dënime të ashpra në firmën kineze të telekomunikacionit ZTE Corp për shkelje të ligjeve të sanksioneve të SHBA-ve dhe për të parandaluar institucionet amerikane nga blerja e produkteve nga firma.

NDAA gjithashtu përfshin një amendament që ndalon shitjet në Turqi të avionëve F-35 (Joint Strike Fighter), duke cituar si arsye blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore s-400 Rusisë dhe arrestimin e shtetasve amerikanë.

Sipas amendamentit, blerja e sistemit S-400 rrit tensionet dhe rreziqet për aleancën e NATO-s. Gjithashtu kërkohet lirimi i pastorit amerikan, Andrew Brunson, i cili po përballet me akuza terroriste në Turqi.

Duke kritikuar SHBA-të për përpjekje për të detyruar Turqinë të mos blejë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, ministri i jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, javën e kaluar kujtoi se Turqia po përpiqej ta blinte sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot nga SHBA-të, por raketat nuk janë shitur në Turqi kur ata ishin të nevojshme.

“Kjo është arsyeja pse Turqia, e cila ka nevojë urgjente për këto armë, ka zgjedhur për t’i blerë ato nga Rusia”, shtoi ai.

Duke folur për avionët luftarakë F-35, Çavuşoğlu gjithashtu theksoi se nëse Washingtoni, si skenari më i keq vendos të mos e shesë F-35 në Turqi, askush nuk mund t’i thotë Turqisë të mos blejë avionë nga një vend i dytë ose të mos prodhojë vet.

Projekt-ligji tani duhet të pajtohet me atë që tashmë është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në maj dhe një masë kompromisi duhet pastaj të miratohet nga të dy dhomat dhe të nënshkruhet në ligj nga presidenti Trump.