SHBA kërkon informacione nga ambasadori saudit për gazetarin Khashoggi

SHBA-të kanë kërkuar informacione nga ambasadori i Arabisë Saudite në Washington Princi Khalid bin Salman bin Abdulaziz në lidhje me fatin e gazetarit të zhdukur saudit Jamal Khashoggi

SHBA-të kanë kërkuar informacione nga ambasadori i Arabisë Saudite në Washington Princi Khalid bin Salman bin Abdulaziz në lidhje me fatin e gazetarit të zhdukur saudit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert në konferencën javore foli në lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit Khashoggi.

Nauert nuk dha përgjigje të detajuara në lidhje me pyetjet për fatin e gazetarit Khashoggi, ku tha se SHBA-të kanë nevojë për të vërteta konkrete për të bërë komente në lidhje me çështjen.

“Edhe ju e dini se kurdo që hapni lajmet dhe gazetat ka spekulime e thashetheme të shumta. Po ndjekim nga afër çështjen dhe përpiqemi të marrim vendim. Aktualisht nuk posedojmë ndonjë dëshmi konkrete. I shmangemi komentimit përderisa Departamenti i Shtetit nuk ka ndonjë dëshmi të fuqishme të cilin mund të ndajë”, tha ajo.

Ndërkaq për pyetjen në lidhje me qëndrimin e saj për themelimin e një ekipi të përbashkët hetues nga zyrtarët turq dhe sauditë në lidhje me çështjen, Nauert deklaroi se “Mirëpresim një hetim të gjerë dhe transparent. Gjithashtu edhe ne kemi hyrë në kontakt me ambasadorin e Arabisë Saudite në Washington. Më duket se momentalisht është duke udhëtuar në Arabinë Saudite. Kur të kthehet në SHBA do të kërkojmë informacione nga ai lidhur me çështjen”.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Procesi gjyqësor për pastorin Brunson

Zëdhënësja Nauert duke iu përgjigjur pyetjeve, tha se do të ndjekin nga afër seancën e sotme gjyqësore për pastorin amerikan Andrew Craig Brunson, i cili po gjykohet në Turqi me pretendimin se ka kryer vepra penale dhe ka spiunuar në emër të organizatave terroriste FETO dhe PKK.

Duke iu referuar fjalimit të djeshëm të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Nauert shtoi se “Ashtu siç ka thënë edhe Pompeo, lirimi i Brunsonit është një gjë e drejtë dhe njerëzore. Shpresojmë se ai dhe bashkëshortja e tij do të kthehen në SHBA. Kjo do të ishte një hap i rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve SHBA-Turqi”.